FMN-ja paralajmëron se tarifat po shkaktojnë rritje të borxhit publik global
- Tarifat gjithëpërfshirëse të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Tramp dhe masat hakmarrëse nga vendet e tjera po kontribuojnë për një përkeqësim të perspektivës fiskale globale, paralajmëroi sot Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Uashington, 23 prill 2025 (MIA) - Tarifat gjithëpërfshirëse të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Tramp dhe masat hakmarrëse nga vendet e tjera po kontribuojnë për një përkeqësim të perspektivës fiskale globale, paralajmëroi sot Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Sipas raportit të fundit të FMN-së, tarifat e reja po shkaktojnë goditje të ofertës dhe kërkesës, duke nxitur pasigurinë ekonomike, i rrisin shpenzimet për financim, e rrisin paqëndrueshmërinë e tregut financiar dhe dobësojnë perspektivat e rritjes globale.
Si rezultat të kësaj, borxhi publik global pritet të rritet me 2,8 pikë përqindje të bruto prodhimit të brendshëm (BPB) këtë vit, me çka vlera e përgjithshme e borxhit ndaj BPB-së do të jetë mbi 95 për qind.
Ky trend rritës sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë, njoftoi FMN-ja, me rritjen e borxhit publik në pothuaj 100 përqind të BPB-së deri në fund të dekadës.
Ekonomitë e mëdha, duke përfshirë SHBA-në, Kinën, Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Brazilin dhe Afrikën e Jugut, po kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e borxhit global, thuhet në raport.
Megjithëse tarifat më të larta mund të rrisin të ardhurat e qeverisë në afat të shkurtër, FMN-ja informoi se ky efekt me siguri do të jetë afatshkurtër. Siç rriten çmimet, kërkesa për importe dhe prodhimi vendas kanë tendencë të bijnë, duke ulur të ardhurat dhe duke ulur më tej prodhimin ekonomik.
"Politika fiskale tani po përballet me kompromis më të ashpër midis reduktimit të borxhit, ndërtimit të një tamponi kundër pasigurisë dhe përshtatjes së presioneve shpenzuese, të gjitha këto përballë perspektivave më të dobëta të rritjes, shpenzimeve më të larta të financimit dhe rreziqeve të rritura", shkroi FMN-ja.
Fondi dje uli parashikimin për rritjen ekonomike globale për vitin 2025 në 2,8 për qind. rq/bsh/
Foto: arkivi i MIA-s