• петок, 17 април 2026

Financimi i autostradës Kërçovë – Ohër nga bankat vendore do të jetë sipas kushteve më të favorshme, tha Nikolloski

Financimi i autostradës Kërçovë – Ohër nga bankat vendore do të jetë sipas kushteve më të favorshme, tha Nikolloski

Shkup, 16 prill 2026 (MIA) - Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, thotë se Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore do të marrë mjete sipas kushteve më të favorshme nga pesë banka vendore për përfundimin e ndërtimit të autostradës Kërçovë – Ohër, pas ndërprerjes së financimit nga banka kineze Eksim.

Nikollski, sot, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, tha se sipas përllogaritjeve fillestare, 175 milionë eurot e nevojshme janë siguruar nga banka Komerciale, Stopanska banka – Shkup, NLB Banka, banka Shparkase dhe Halk banka.

"Duhet të kalojë procedura qeveritare. Na duhen edhe një-dy javë për ta përfunduar të gjithë procedurën dhe më pas do të dalim me kushtet e sakta, por ato janë më të favorshmet që ka marrë ndonjë ndërmarrje publike në Maqedoninë e Veriut", deklaroi Nikolloski para takimit në Manastir me biznesmenët e Rajonit të Pellagonisë.

Sipas Nikolloskit, me vendimin për financim nga bankat vendore do të mundësohet përfundimi i autostradës deri në fund të vitit.

Muajin e kaluar u nënshkrua aneksi numër 8 i kontratës për ndërtimin e autostradës Kërçovë – Ohër, me gjatësi prej 57 kilometrash, me të cilin sigurohen mjete shtesë dhe një afat i ri për përfundimin e projektit të nisur para 11 vitesh. Me aneksin parashikohen edhe 186 milionë euro shtesë, ndërsa afati i ri për përfundimin e autostradës është 31 maji 2027. Mjetet shtesë janë të destinuara për punime ndërtimore të paparashikuara dhe të reja, të domosdoshme për përfundimin e plotë të projektit, ndër të cilat përfshihen sanimi i 14 rrëshqitjeve të dheut, sigurimi i stabilitetit të përgjithshëm i trasesë, vendosja e barrierës elastike mbrojtëse sipas standardit evropian EN 1317, ndërtimi i një qendre kontrolli, si dhe ndërtimi i rrugëve shtesë paralele.

Vitin e kaluar u hapën tre segmente të autostradës në pjesën Vërbjan – Botun dhe Kliimeshtan – Ohër, me gjatësi të përgjithshme prej 27,96 kilometrash, si dhe një pjesë e rrugëve hyrëse drejt vendbanimeve përreth. qa/

Foto: MIA

 

Остани поврзан