• понеделник, 02 март 2026

Filipçe: Rënie të Investimeve të huaja për 729 milionë euro vitin e kaluar krahasuar me vitin 2024

Filipçe: Rënie të Investimeve të huaja për 729 milionë euro vitin e kaluar krahasuar me vitin 2024

Shkup, 1 mars 2026 (MIA) - Ekonomia e Maqedonisë së Veriut po fundoset, qytetarët mezi ia dalin mbanë. Kishim propozime konstruktive se si t'i ndihmojmë qytetarët, si të rritet paga minimale, për fat të keq qeveria i hodhi poshtë të gjitha këto. Por, në planin ekonomik, po ndodhin gjëra të njëpasnjëshme që i paralajmëruam dhe që po i tregojmë, deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në konferencën e sotme për shtyp.

"Një pjesë e gjithë kësaj janë të dhënat e fundit nga Banka Popullore, që tregojnë një rënie dramatike të investimeve të huaja direkte prej 61 për qind. Me Hristijan Mickoskin në krye të Qeverisë, ka një rënie të investimeve të huaja në vitin 2025 me një shifër të madhe prej 729 milionë euro krahasuar me vitin 2024. Domethënë, në vitin 2024, si rezultat i të gjitha politikave ekonomike të Qeverisë së LSDM-së gjatë shtatë viteve të fundit, ka një kulminacion dhe vlerë rekord më të lartë të investimeve të huaja direkte prej 1.196.000.000 euro, ndërsa tani në vitin 2025 vetëm 467 milionë euro. Dhe kjo është praktikisht rezultat i politikës ekonomike të kësaj Qeverie të kryeministrit - thjesht një debakël", nënvizoi Filipçe.

 Gjatë qeverive të LSDM-së, theksoi se u hapën 16 fabrika si rezultat i investimeve të drejtpërdrejta të huaja si Gereshajmer, Magna, Lear, DNZ, dhe u gjeneruan mbi 10.000 vende pune në zonat zhvillimore teknologjike dhe industriale.

 "Çfarë po ndodh tani? Gjigandi gjerman Aktiv konfirmoi zyrtarisht se po tërhiqet nga Shkupi, duke lënë 400-500 punëtorë të papunë. Në fabrikën Dura shkurtohen linjat e prodhimit, Magna ka ndaluar zgjerimin e saj të paralajmëruar më parë, praktikisht mijëra vende pune janë në rrezik. Dallimi është i qartë si kristali - ne hapëm fabrika, hapeshin vende pune me paga të mira dhe të larta, dhe tani punëtorët mbeten në rrezik dhe me probleme ekzistenciale", tha kryetari i LSDM-së.

 Theksoi se vrima në Buxhet është afër dy miliardë euro, dhe borxhet po rriten.

 U përqendrua edhe në kërkesën për rritje të pagës minimale dhe bujqësisë, ku tha se janë zvogëluar subvencionet për prodhuesit e duhanit, blegtorët dhe vreshtarët

 Kryetari i LSDM-së, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, përsëriti qëndrimin e partisë se rasti i kthimit të Artan Grubit dhe vendimi për arrest shtëpiak janë një tregues i qartë se ekziston një marrëveshje politike dhe drejtpërdrejtë ndikon mbi gjyqësorin dhe Prokurorinë nga ana e pushtetit.

 

Foto: MIA

Video: Qendra për Komunikime të LSDM-së

 

Остани поврзан