Filipçe: Kjo qeveri nuk dëshiron të jetë në BE, agjenda e reformave është një tregues se nuk po punohet
- Opozita nuk shpreson për përparim në rrugën e integrimit evropian të shtetit pas deklaratës së kryeministrit se do të presim derisa të marrim garanci të sigurta për procesin e integrimit evropian. Konsiderojnë se është e nevojshme të bashkohen të gjithë faktorët politikë rreth kësaj çështjeje dhe kjo të mos përdoret për të fituar pikë politike ditore.
Shkup, 26 prill 2026 (MIA) - Opozita nuk shpreson për përparim në rrugën e integrimit evropian të shtetit pas deklaratës së kryeministrit se do të presim derisa të marrim garanci të sigurta për procesin e integrimit evropian. Konsiderojnë se është e nevojshme të bashkohen të gjithë faktorët politikë rreth kësaj çështjeje dhe kjo të mos përdoret për të fituar pikë politike ditore.
Kryetari i Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian dhe lider i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe, në debatin e sotëm për rolin e Kuvendit në rrugën drejt BE-së, i cili po mbahet për ditën e dytë në shtëpinë ligjvënëse, tha se nuk ka përparim në agjendën e reformave dhe se është miratuar vetëm një ligj në fushën e drejtësisë nga dhjetë që duhej të miratoheshin në vitin 2025.
Fatkeqësisht, e vërteta është zhgënjyese. Mos prisni asgjë nga rruga evropiane. Këtë nuk e them unë, por kryeministri Hristijan Mickoski, i cili thotë se nëse është e nevojshme do të presim me dekada për Evropën. Çfarë mund të presim pas një deklarate kaq të qartë në publik se kjo qeveri nuk do të bëjë asnjë hap drejt Evropës. Në atë kontekst, agjenda e reformave evropiane është një tregues tjetër se kjo qeveri nuk po bën asgjë. Gjatë vitit 2025, duhej të miratoheshin dhjetëra ligje në fushën e drejtësisë, dhe u miratua vetëm një ligj, dhe ai me udhëzime të zbatuara pjesërisht nga Misioni i Vlerësimit të Bashkimit Evropian. Çfarë mund të bëjë Parlamenti kur Qeveria nuk dërgon asnjë ligj? Pas zjarrit në Koçan, shkova te kryeministri, ofrova punë të përbashkët mbi agjendën e reformave, formuam një grup pune. Nga Ministria e Drejtësisë i dërguan ligjet, ne dhamë mendimin tonë të ekspertëve, por askush nuk iu përgjigj mendimeve që i dërguam Ministrisë së Drejtësisë", tha Filipçe.

Sipas ish-ministrit të Punëve të Jashtme të BDI-së, Bujar Osmani, nevojitet një konsensus i brendshëm për çështjen e procesit të integrimit evropian të vendit. Kjo, thotë Osmani, është pika e fillimit nga e cila duhet të niset.
"Nëse nuk kemi një konsensus të përbashkët brenda për këtë udhëtim strategjik, atëherë gjithçka është e kotë. Për shembull, Kroacia negocioi për shtatë vjet për anëtarësim. A e dini se si e arriti Kroacia këtë? Në fillim, Qeveria vendosi të mos përfshihej në politikën ditore me çështjen e anëtarësimit në BE. Të gjithë kryetarët e partive politike u ulën dhe shtrënguan duart dhe ranë dakord se nuk do të konkurronin me njëri-tjetrin në procesin e negociatave. Kroacia është i vetmi shembull ku, megjithëse qeveritë ndryshuan, nuk pati përplasje midis politikanëve për këtë çështje. Fatkeqësisht, këtu tek ne BE-ja dhe Brukseli janë shndërruar në një instrument për politikën ditore. Fatkeqësisht, situata është kështu, nuk ka vullnet për integrimin në BE, perspektiva është e zymtë. Ajo që më jep shpresë është vetëm se qytetarët kanë vullnetin për Bashkimin Evropian dhe ne duhet të ushtrojmë presion së bashku, qytetarët duhet të ushtrojnë presion mbi Qeverinë për këtë çështje", tha Osmani.
Qëndrim të njejtë ka edhe ish-sekretarja e përgjithshme e Kuvendit dhe ish-deputete Cvetanka Ivanova, sipas së cilës Kuvendi ka kapacitete njerëzore dhe teknike për të mbështetur këtë proces. Ajo që duhet bërë është të bashkohemi për këtë çështje.
"Dallimet gjithmonë do të ekzistojnë, por sa më shpejt të jetë e mundur partitë politike duhet të ulen dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Ky proces nuk është për Kuvendin ose Qeverinë, por që të gjithë ne të jetojmë më mirë", tha Ivanova në sesionin plenar të debatit "Modeli i përfshirjes së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Procesin e Inkuadrimit në BE".
Nga shumica qeveritare thonë se ligjet nga agjenda evropiane miratohen me transparencë maksimale dhe se ekspertët janë të përfshirë në procesin e miratimit, mendimet e të cilëve respektohen.
Po përpiqemi që ligjet nga agjenda evropiane t’i nxjerrim sa më transparente të jetë e mundur, ku përfshijmë ekspertë. Nga ana tjetër, këto ligje punohen gjatë një periudhe më të gjatë kohore me përfshirjen e ekspertëve në grupe të ndryshme pune dhe bazuar në vëzhgimet nga misionet e vlerësimit, thotë Eli Panova nga VMRO-DPMNE.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Çështjeve Evropiane, Bekim Sali, pjesëmarrja e të cilit u paralajmërua, nuk ishte i pranishëm në ditën e dytë të debatit për rolin e Kuvendit në procesin e inkuadrimit në BE.
Foto: MIA