Fetai: BDI nuk ka qeverisur, ka sunduar – VLEN po hap dosjet e një pushteti 20-vjeçar
- Arben Fetai nga koalicioni VLEN ka reaguar ndaj kritikave se pse kjo forcë politike merret me BDI, duke theksuar se qeveria aktuale ka punë konkrete për të komunikuar me qytetarët duke kujtuar se nga muaji mars, pagat në administratën publike do të rriten për 40 për qind, duke e cilësuar këtë si një nga masat konkrete të qeverisë aktuale.
Shkup, 10 shkurt 2026
Arben Fetai nga koalicioni VLEN ka reaguar ndaj kritikave se pse kjo forcë politike merret me BDI, duke theksuar se qeveria aktuale ka punë konkrete për të komunikuar me qytetarët duke kujtuar se nga muaji mars, pagat në administratën publike do të rriten për 40 për qind, duke e cilësuar këtë si një nga masat konkrete të qeverisë aktuale.
Megjithatë, ai theksoi se BDI nuk mund të trajtohet si parti e zakonshme opozitare.
“BDI për 20 vjet nuk ka qeverisur, por ka sunduar mbi fatin e shqiptarëve në këtë vend, duke e humbur kontaktin me realitetin dhe duke e ndërtuar një narrativë ku vetëm ajo paraqitet si ‘mbrojtëse e shqiptarisë’,” thuhet në reagimin e tij.
Ai shton se realiteti është krejt tjetër, duke nënvizuar se “bedeli i Ali Ahmetit nuk ndodhet në listë të zezë për shkak të shqiptarisë, por për shkak të korrupsionit”.
Fetai akuzon BDI-në se nuk e pranon konceptin e reformës dhe se refuzon të ballafaqohet me pasojat e qeverisjes së saj shumëvjeçare. Sipas tij, trashëgimia e këtij pushteti ka lënë pas numër të madh problemesh të pazgjidhura, të cilat sot po i bien në barrë qeverisë aktuale.
“Për shkak të një pushteti 20-vjeçar, që ka lënë pas dosje të mbyllura dhe probleme të grumbulluara, sot VLEN është e detyruar t’i hapë ato një nga një dhe t’i zgjidhë sa të jetë e mundur,” ka theksuar Fetai.
Ai pranon se ka sfida dhe probleme, por bën dallimin e qartë mes qeverisjes aktuale dhe asaj të kaluarës. Në këtë kontekst, Fetai kujton vitin 2014, kur, sipas tij, BDI kishte humbur çdo lidhje me realitetin politik.
“Me 152 mijë vota, ata tentuan ta bënin luanin simbol të shqiptarëve, si rezultat i marrëveshjeve politike mes Ali Ahmetit dhe Nikola Gruevskit,” përfundon Fetai.
Arben Fetai
_______________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.
Foto: Arkivi i MIA-s