Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës dhe “Megjashi” e forcojnë bashkëpunimin për të rinjtë
- Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës, më 17 prill 2026, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ambasadën e Parë të Fëmijëve në Botë “Megjashi”, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit institucional në funksion të mbështetjes, mbrojtjes dhe fuqizimit të të rinjve.
Shkup, 20 prill 2026 (MIA) - Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës, më 17 prill 2026, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ambasadën e Parë të Fëmijëve në Botë “Megjashi”, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit institucional në funksion të mbështetjes, mbrojtjes dhe fuqizimit të të rinjve.
Memorandumi u nënshkrua nga dekani i Fakultetit Filozofik Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti dhe kryetari i kësaj organizate, z. Dragi Zmijanac.
Ky bashkëpunim synon të ndërthurë dimensionin teorik me atë praktik të formimit universitar, duke kontribuuar në zhvillimin e kompetencave profesionale, sociale dhe etike të studentëve.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, palët angazhohen për ndërtimin e një partneriteti të strukturuar në fushën e zhvillimit profesional, duke krijuar mekanizma për përfshirjen aktive të studentëve në praktikë profesionale, aktivitete në terren dhe projekte të tjera.