• понеделник, 13 јануари 2025

Euronjuz: Maqedonia e Veriut me më shumë raste të vdekjeve në Evropë si pasojë e ndotjes

Euronjuz: Maqedonia e Veriut me më shumë raste të vdekjeve në Evropë si pasojë e ndotjes

Shkup, 12 janar 2025 (MIA) - Duke u thirrur në raportin e Komisionit Evropian dhe Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), Euronjuz sot shkruan se vendi më i prekur nga ndotja e ajrit është Maqedonia e Veriut, ndërsa pas saj Serbia. Theksohet se vendi ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë si pasojë e ndotjes së ajrit.

Shqipëria, Bullgaria dhe Mali i Zi poashtu renditen si vende me nivele të larta të ndotjes.

Në vitin 2021, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) përditësoi udhëzimet e saja për cilësinë e ajrit, duke ulur pragun e rekomanduar për përqendrimet vjetore të dioksidit të azotit dhe grimcave të vogla (PM2.5), si pluhuri, tymi, bloza dhe gazrat.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian miratoi rregulla më të rrepta për cilësinë e ajrit me qëllim t'i afrojë standardet e saja me rekomandimet e OBSH-së deri në vitin 2030.

Këto rregulla i detyrojnë shtetet anëtare rregullisht të monitorojnë grimcat PM, karbonin dhe amoniakun që lirohet nga ajri.

Siç theksohet në artikullin e Euronjuz, gjatë kësaj periudhe të gjitha vendet anëtare të BE-së raportojnë nivele më të larta të dioksidit të azotit nga ato të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Sipas raporteve nga Agjencia Evropiane e Mjedisit Jetësor, ekspozimi ndaj grimcave PM2.5 ka shkaktuar rreth 239.000 vdekje të parakohshme në Evropë në vitin 2021, ndërsa 48.000 njerëz vdiqën si rezultat i ekspozimit ndaj dioksidit të azotit.

FOTO: Euronjuz

 

Остани поврзан