• сабота, 17 јануари 2026

El Anuni: Ndryshimi i regjimit në Iran nuk është pjesë e politikës së BE-së

El Anuni: Ndryshimi i regjimit në Iran nuk është pjesë e politikës së BE-së

Bruksel, 16 janar 2026 (MIA) – Bashkimi Evropian qëndron pas atyre që angazhohen për jetë më të mirë, liri dhe dinjitet, por ndryshimi i regjimit në Iran nuk është pjesë e politikës së tij, deklaroi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Anuar el Anuni. 

“Atë që e shohim në terren është lëvizje e vërtetë legjitime protestuese e popullit të Iranit, me aspirata legjitime për jetë më të mirë, liri dhe dinjitet. Ne qëndrojmë pas tyre sepse BE-ja angazhohet për këto vlera”, tha El Anuni. 

Ai shtoi se BE-ja me shumë vëmendje i ndjek ngjarjet në Iran duke përfshirë edhe raportet e ndryshme në lidhje me ekzekutimet e ardhshme të mundshme të protestuesve paqësorë. 

"Jemi thellësisht të shqetësuar nga rritja e vazhdueshme e ekzekutimeve në Iran, përfshirë edhe si një mjet për shtypjen e protestave, dhe i bëjmë thirrje qeverisë iraniane të ndalojë ekzekutimet dhe të ndjekë një politikë të qëndrueshme drejt heqjes së dënimit me vdekje. Ne dënojmë përdorimin e dhunës, ndalimit arbitrar dhe taktikave të frikësimit nga forcat e sigurisë kundër protestuesve paqësorë dhe u bëjmë thirrje autoriteteve të lirojnë të gjithë ata që janë ndaluar padrejtësisht vetëm sepse kanë kërkuar të drejtat e tyre legjitime", shtoi El-Anuni.

Zëdhënësi i KE-së informoi gjithashtu se pas shpërthimit të dhunës në Iran, ambasadori iranian në BE u thirr për bisedime në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm, gjatë të cilave atij iu përcoll dënimi i dhunës kundër protestuesve paqësorë, si dhe një apel për respektimin e lirive themelore, duke përfshirë lirinë e shprehjes dhe qasjen në informacion dhe internet. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан