• вторник, 21 април 2026

Dëshmitarja për rastin "Puls": Para zjarrit kishte bastisje për të miturit, por festa nuk u ndërpre

Dëshmitarja për rastin

Shkup, 20 prill 2026 (MIA) - Dëshmitarja Ana Zaharieva, e cila ishte nikoçire në "Puls" në Koçan në ngjarjen kritike, në seancën e sotme për zjarrin, në të cilin vdiqën 63 persona, ndërsa u lënduan mbi 200, në sallën e gjyqit në "Idrizovë" deklaroi se në mbrëmjen e 16 marsit, në diskotekë kishte shumë të ftuar, përfshirë edhe të mitur, dhe se në diskotekë më parë ishin përdorur spërkatës. 

Dëshmitarja potencoi se në "Puls" kishte shkuar që kur ishte 17-18 vjeç pothuajse çdo fundjavë. 

"Atë natë arrita rreth orës 12 dhe bleva një biletë. Ia dhashë rojes së sigurisë dhe ata e vulosën dhe hyra brenda. Isha me shoqëri", tha Zaharieva. 

E pyetur nëse i kujtoheshin rojet e sigurisë atë natë, dëshmitarja tha se jo. Dëshmitarja përshkroi kujtesën e saj me hyrjen e diskotekës dhe brendësinë e saj pas rinovimit, duke vënë në dukje se dalja e dytë ishte e mbyllur në atë kohë. 

"Atë natë kishte shumë njerëz në diskotekë”, deklaroi Zaharieva, duke potencuar se kishte edhe të mitur. 

Përpara se të shpërthente zjarri në diskotekë, dëshmitarja tha se kishte një bastisje për të miturit, por festa nuk u ndërpre. 

Shpërthimin e zjarrit, dëshmitarja tha se nuk mundi ta shihte, por pasi i thanë se po digjej, ajo u drejtua drejt daljes sepse nuk ishte shumë larg. 

"Në pyetje ishin çështje sekondash. Nuk isha shumë larg derës, ndoshta dy minuta. E di që u desh shumë pak kohë që të fillonte zjarri, sepse kur arrita te dera, i gjithë tavani ishte tashmë në flakë", deklaroi dëshmitarja, duke theksuar se nuk kishte askush që t'i udhëzonte se ku dhe si të evakuoheshin. 

Sa herë që kishte ndonjë ngjarje, këngëtarë, ditëlindje, valltarë apo hapje sezoni, dëshmitarja tha se në diskotekë përdoreshin spërkatës. 

"Isha bllokuar në rrëmujë, ndoshta kishte edhe 3-4 persona të tjerë sipër meje. Isha pa ndjenja dhe kur u zgjova fillova të kërkoja ndihmë nga njerëzit përreth meje. Kishte një polic me uniformë, por nuk mundi të më nxirrte jashtë. Pas pak erdhi një tjetër dhe më nxori jashtë", tha dëshmitarja. 

Dëshmitarja tha se pësoi djegie në të gjithë krahun e majtë nga zjarri, iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe qëndroi në spital për 42 ditë, duke paraqitur një kërkesë për dëmshpërblim.

Në një pyetje të kryqëzuar nga mbrojtja e të akuzuarit të parë, Dejan Jovanov Deko, për të shpjeguar se si e di që më parë ka qenë diskotekë, ndërsa pas rinovimit kabare, dëshmitarja tha se nuk kishte dallim vizual, por vetëm në orarin e punës. 

"Ka qenë diskotekë që kur e di deri vitin e kaluar kur u rinovua. Nuk kishte dallim brenda, por kishte në kohën e daljes. Diskoteka ishte deri në orën 11, ndërsa kabare ka qenë që kur është hapur nga ora 1-2 dhe ka zgjatur deri në orën 3-4. Këtë dëgjova", shpjegoi dëshmitarja.

Në pyetjen e avokatit Jovica Strashevski nëse mund të mbante mend se kush e shpëtoi atë mbrëmje, duke qenë se mban mend pothuajse gjithçka përveç burrit që e shpëtoi, dëshmitarja përsëriti se nuk mbante mend pse ndodhi rrëmuja.

Kur mbrojtja e pyeti nëse ajo kishte qenë në diskotekë kur ishte e mitur, dëshmitarja tha "po, isha e pranishme, sepse i lëshonin të miturit të luanin, njësoj siç i lëshuan atë natë".

Avokatja mbrojtëse e të akuzuarit të parë Dejan Jovanov Deko, Ivana Kocevska, para fillimit të seancës së sotme, kërkoi nga gjykata që paraburgimi i tij të zëvendësohet me arrest shtëpiak për shkak të përkeqësimit serioz dhe alarmues të gjendjes së tij shëndetësore.

Prokuroria publike, tha se i ka ndëgjuar akuzat dhe pas shqyrtimit të dokumentacionit në fund të seancës së sotme do të vendosë nëse do të dalin me deklaratë apo do ta bëjnë me shkrim. 

Zjarri në diskotekën "Puls" në Koçan shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë paraqitjes së bendit DNK dhe është një nga tragjeditë më të rënda në historinë më të re të vendit. Me seancën e sotme gjyqësore, procedura e provave vazhdon me paraqitjen e dëshmitarëve me propozim të Prokurorisë, e cila përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorëve publikë. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

Остани поврзан