Durmishi: Vijojnë kontrollet inspektuese, nëse konfirmohen rritje të marzhave do të ndërmerren masa
- – Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) nga data 10 deri më 20 maj po zbaton kontrolle në të gjithë zinxhirët e marketeve. Nëse konfirmon se ka rritje të marzhave, do të ndërmerren masa adekuate, njoftoi sot ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Shkup, 15 maj 2026 (MIA) – Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) nga data 10 deri më 20 maj po zbaton kontrolle në të gjithë zinxhirët e marketeve. Nëse konfirmon se ka rritje të marzhave, do të ndërmerren masa adekuate, njoftoi sot ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Siç tha Durmishi, 30 ekipe janë në terren, ndërsa jozyrtarisht, nga informacionet pas katër ditëve të para nga fillimi i mbikëqyrjeve, është vërejtur lirim i caktuar te pemët dhe perimet.
Për momentin, tha ministri, nuk ka bazë që të reagohet në lidhje me çmimet e produkteve ushqimore. Situata po ndiqet dhe nëse vlerësohet se ka nevojë, do të veprohet. Ka mundësi që njëra nga masat të jetë ulja e TVSH-së për produktet ushqimore.
Durmishi potencoi se kufizimi i çmimeve bëhet vetëm kur do të konstatohet se tregtarët e kanë rritur marzhën.
Muajin e kaluar, sipas tij, kishte rritje të çmimeve të produkteve ushqimore, por edhe ulje të marzhës nga ana e tregtarëve për rreth një për qind.
“Nuk kemi bazë mbi të cilën të veprojmë. Do ta analizojmë situatën deri në fund të këtij muaji. Mund ta ulim TVSH-në për produktet ushqimore. Siç reaguam në sektorin e karburanteve, mund të reagojmë edhe në këtë segment. Kontrollet tona kryhen mbi marzhet e përcaktuara nga prodhuesit, tregtarët dhe shpërndarësit. Nëse shohim se në kushte të tilla krize dhe pasigurie, ata sillen në mënyrë devijuese dhe rrisin marzhet, do të reagojmë me masat e duhura, siç reaguam herën e fundit, me masat administrative që kemi në dispozicion”, theksoi ministri, duke shtuar se ISHT do t'ia paraqesë informacionin nga inspektimet Ministrisë më 20 maj.
Ai potencoi se Ministria në vazhdimësi e ndjek situatën dhe do të vazhdojë me zbatimin e masave për stabilizimin e çmimeve dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve. Maqedonia, shtoi, varet nga importi, veçanërisht në pjesën e produkteve ushqimore, ndërsa kjo nënkupton se çmimet i diktojnë ato vende, prej ku importojmë.
“Çmimi i produkteve ushqimore të importuara nuk përcaktohet nga ne, as nga tregtarët tanë, por nga ato vende. Ne kontrollojmë nëse marzha është rritur. Ne kemi mundësinë, brenda kornizës së Ligjit, të veprojmë me mekanizmat që kemi në dispozicion nëse marzha rritet nga prodhuesit, tregtarët dhe shpërndarësit”, nënvizoi Durmishi dhe kujtoi se deri më tani janë vendosur gjoba.
Në lidhje me inflacionin, tha se nuk është problem vetëm te ne, por edhe në vendet nga Evropa.
“Në Rumani, inflacioni është 9 për qind, në Bullgari 6,2, në Kroaci 4,6 për qind. Inflacioni është rritur, por kështu është edhe në vendet e tjera. Në vendin tonë, inflacioni është deri në pesë për qind, por ne po përballojmë dhe po reagojmë në mënyrë të përshtatshme. Në atë drejtim është edhe masa e shpallur sot për bashkëfinancimin e zejtarëve, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, për të rritur produktivitetin dhe prodhimin e tyre”, tha ministri. fc/
Foto: MIA