• сабота, 14 март 2026

Drejtoria e Doganave dhe Gjykata Administrative vendosin shkëmbim elektronik të dokumenteve

Drejtoria e Doganave dhe Gjykata Administrative vendosin shkëmbim elektronik të dokumenteve

Shkup, 10 mars 2026 (MIA) - Dogana dhe Gjykata Administrative sot nënshkruan Memorandum bashkëpunimi me të cilin vendoset lidhje digjitale ndërmjet dy institucioneve dhe shkëmbim elektronik i dokumenteve në kuadër të kontesteve administrative.

Me nënshkrimin e Memorandumit mundësohet lidhja e institucioneve përmes platformës softuerike EPUS, përmes së cilës do të kryhet dorëzimi elektronik dhe shkëmbimi i akteve gjyqësore dhe dokumenteve për kontestet administrative në të cilat Dogana paraqitet si palë në procedurë para Gjykatës Administrative.

"Sistemi i ri mundëson krijimin e dosjeve elektronike për lëndët, si dhe dorëzimin elektronik të dokumenteve, gjë që do ta përshpejtojë ndjeshëm trajtimin e rasteve dhe do të kontribuojë në uljen e përdorimit të dokumentacionit në letër", njoftoi Drejtoria e Doganave. 

Dogana mbështet iniciativa të tilla që paraqesin një hap të rëndësishëm në procesin e digjitalizimit dhe modernizimit të institucioneve, duke mundësuar komunikim më efikas dhe më të sigurt ndërmjet institucioneve, shkëmbim më të shpejtë të informacioneve dhe njëkohësisht ulje të kostove për shërbimet postare të dorëzimit.

"Drejtori i Doganës, Boban Nikollovski, dhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Administrative, Burim Sejdini, shprehën kënaqësinë për nënshkrimin e Memorandumit, duke theksuar se me zbatimin e tij do të kontribuohet në rritjen e transparencës dhe efikasitetit në procedurat para Gjykatës Administrative. Të dyja palët u pajtuan se me këtë bashkëpunim përmirësohet koordinimi institucional dhe krijohen kushte për funksionim më efikas të procedurave administrativo-gjyqësore", thuhet në kumtesë. fc/

Foto: Drejtoria e Doganave 

Остани поврзан