• петок, 15 мај 2026

Dr. Agushi: Duke e mbështetur procesin e transplantimit, u dërgojmë porosi të gjithëve se ky është akti më i lartë moral

Dr. Agushi: Duke e mbështetur procesin e transplantimit, u dërgojmë porosi të gjithëve se ky është akti më i lartë moral

Shkup, 12 maj 2026 (MIA) - Në kuadër të fushatës nacionale, që po realizohet nën moton "Dhurimi i organeve i jep kuptimin më të lartë njerëzimit!", mjeku Azbi Agushi, anesteziolog nga Klinika universitare për traumatologji, sëmundje ortopedike, anestezion, reanimacion, mjekim intensiv dhe qendër urgjente (TOARMIQU) dhe koordinues spitalor për transplantim, bën thirrje për rëndësinë e dhurimit të organeve.

"Duke folur për transplantimin e organeve, porosia ime është të mbështetet ky proces, jo për shkak të faktit se ka nevojë sistemi shëndetësor, por porosia është ta mbështesim transplantimin, sepse në atë mënyrë mbështesim veten tonë, në atë mënyrë u ndihmojmë njerëzve të të gjitha kategorive, posaçërisht njerëzve të cilët kanë nevojë jetësore për organe, të cilët në shumë raste, në shumë situata, nuk kanë mundësi të kenë funksionim normal gjatë përditshmërisë së tyre. Porosia ime është se me ngritjen e vetëdijes, të mbështesim një proces i cili ka histori shumëvjeçare, posaçërisht në vendin tonë në vitet e fundit, ka jehonë të madhe dhe në atë mënyrë ne e kemi mbajtur tërë këtë proces", thekson në video paraqitjen e tij dr. Agushi.

Ai potencoi se transplantimi nuk është vetëm akt mjekësor, por në të njejtën kohë është edhe akt më i lartë fisnik. Me mbështetje të këtij procesi, mundësohet jeta e personave të cilët nuk kanë dalje tjetër.

"Bëjmë thirrje për mbështetje nga të gjitha sferat shoqërore, kërkojmë vetëdije më të lartë, sepse si shtet, si sistem shëndetësor, kemi bërë shumë që ky proces të realizohet me sukses. Do të thotë, të ndihmojmë me mbështetjen e këtij procesi, me të cilin u ndihmojmë njerëzve të cilët kanë nevojë për jetë më të gjatë", potencoi dr. Agushi.

Foto dhe video: Ministria e Shëndetësisë


 

Остани поврзан