• сабота, 16 мај 2026

DPF: Kallëzim penal kundër ish-kryetarit të Odës së Stomatologëve të Maqedonisë dhe pesë anëtarëve të komisionit për keqpërdorime me lëshimin e licencave

DPF: Kallëzim penal kundër ish-kryetarit të Odës së Stomatologëve të Maqedonisë dhe pesë anëtarëve të komisionit për keqpërdorime me lëshimin e licencave

Shkup, 30 prill 2026 (MIA) - Drejtoria e Policisë Financiare në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup ka paraqitur kallëzim penal kundër një ish-kryetarit të Odës së Stomatologëve të Maqedonisë së Veriut dhe kryetarit si dhe katër anëtarëve të Komisionit për çështje profesionale stomatologjike, për shkak të dyshimeve të bazuara se kanë kryer veprën penale "keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar", lidhur me lëshimin, rinovimin, vazhdimin dhe marrjen e licencave për punë të mjekëve stomatologë, ku kanë përfituar për shoqëritë në vlerë totale rreth 515 mijë euro.

I denoncuari i parë M.D., siç njoftojnë nga Policia Financiare, duke tejkaluar kufijtë e kompetencave zyrtare të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë për lëshimin, rinovimin, vazhdimin dhe marrjen e licencave të punës për mjekët stomatologë, me vetëdije dhe me qëllim të parapërcaktuar ka lidhur kontrata me shoqata joekzistuese për realizimin e formave të edukimit profesional të vazhdueshëm, përmes të cilave mjekët stomatologë kanë fituar pikë për rinovimin e licencave.

"Gjithashtu, i denoncuari i parë, ka qenë themelues, nënshkrues i autorizuar i llogarive bankare dhe një nga drejtuesit faktikë të SHMMDM - Shoqata e Mjekëve të Mjekësisë Dentare të Maqedonisë - Kumanovë, përmes së cilës ka manipuluar sistemin, duke vepruar në kundërshtim me Rregulloren për edukimin profesional të vazhdueshëm dhe Ligjin për mbrojtjen shëndetësore", thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë Financiare. 

Me veprimet e paligjshme të lartëpërmendura, të denoncuarit, siç informojnë nga Drejtoria e Policisë Financiare, kanë përfituar për shoqatën SHMMDM, Shoqatën Stomatologjike të Maqedonasve dhe Shoqatën Stomatologjike të Shqiptarëve, në shumën totale prej 31.969.250 denarësh ose rreth 515 mijë euro. qa.

Foto: Arkivi i MIA-s

Остани поврзан