Dimovska: Transparencë, digjitalizim dhe siguri e parlamenteve
- Sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, po merr pjesë në Mbledhjen e Shoqatës së Sekretarëve të Përgjithshëm të Parlamenteve (ASGP), e cila mbahet nga 16 deri më 19 prill 2026 në Stamboll, Republika e Turqisë, në kuadër të Asamblesë së 152-të të Unionit Ndërparlamentar.
Shkup, 18 prill 2026 (MIA) - Sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, po merr pjesë në Mbledhjen e Shoqatës së Sekretarëve të Përgjithshëm të Parlamenteve (ASGP), e cila mbahet nga 16 deri më 19 prill 2026 në Stamboll, Republika e Turqisë, në kuadër të Asamblesë së 152-të të Unionit Ndërparlamentar.
Siç njoftoi pres-shërbimi i Kuvendit, në mbledhjen e ASGP-së u zhvilluan diskutime tematike kushtuar çështjeve aktuale me rëndësi për funksionimin e parlamenteve, ndër të cilat: roli i administratës parlamentare në vlerësimin e ndikimit të ligjeve, përforcimi i mbrojtjes së parlamentit si institucion demokratik, si dhe sfidat bashkëkohore që lidhen me organizimin e punës, digjitalizimin dhe modernizimin e shërbimeve parlamentare.
Në këtë takim, Dimovska prezantoi përvojat dhe aktivitetet aktuale të Kuvendit në drejtim të përforcimit të kapaciteteve institucionale, përmirësimit të standardeve të sigurisë dhe zhvillimit të mekanizmave bashkëkohorë për mbështetjen e procesit ligjvënës dhe mbikëqyrës.

Në debatin e parë të përgjithshëm u shkëmbyen përvoja për zbatimin e mbikëqyrjes pasligjvënëse, analizën e efekteve të ligjeve dhe përdorimin e të dhënave dhe mjeteve bashkëkohore për përmirësimin e cilësisë së legjislacionit. Theks i veçantë iu kushtua edhe rëndësisë së bashkëpunimit me institucionet akademike dhe përdorimit të teknologjive të reja në procesin e vlerësimit të ligjeve. Në kontekstin e Kuvendit, Dimovska theksoi formimin e njësisë së specializuar për vlerësimin e ndikimit të rregullativës dhe vlerësimin e zbatimit të saj. Kjo paraqet një reformë të rëndësishme strukturore të orientuar drejt vendosjes së legjislacionit të bazuar në dëshmi.
"Gjatë debatit të dytë të përgjithshëm për përforcimin e mbrojtjes së parlamenteve si institucione demokratike, u shqyrtuan çështje që lidhen me mbrojtjen e procedurave demokratike, autonominë institucionale dhe sigurinë e objekteve parlamentare. Dimovska foli mbi aktivitetet aktuale të Kuvendit në lidhje me reformën e shërbimeve të sigurisë, që synon krijimin e një sistemi modern që do të sigurojë funksionim të sigurt, efikas dhe dinjitoz të Kuvendit, duke ruajtur njëkohësisht hapjen dhe transparencën e tij", qëndron në kumtesë.

Gjatë Mbledhjes së ASGP-së, sekretarët e përgjithshëm zgjodhën Stijit Taipibunsuk, zëvendës-sekretare e përgjithshme e Dhomës së Përfaqësuesve të Tajlandës, për nënkryetare të Shoqatës së Sekretarëve të Përgjithshëm të Parlamenteve.
Pjesëmarrja në forume të tilla ndërkombëtare paraqet një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, përforcimin e bashkëpunimit profesional dhe përmirësimin e kapaciteteve të shërbimeve parlamentare në drejtim të ndërtimit të institucioneve demokratike më të forta dhe më rezistente.
Shoqata e Sekretarëve të Përgjithshëm të Parlamenteve është organ konsultativ i Unionit Ndërparlamentar, në të cilin marrin pjesë sekretarët e përgjithshëm të parlamenteve – anëtare të IPU-së. Në takimet e Shoqatës, që zhvillohen paralelisht me asambletë e rregullta të IPU-së, shkëmbehen mendime mbi çështje profesionale nga puna e parlamenteve, ndërsa anëtarët përgatisin raporte dhe prezantime për tema të caktuara dhe diskutojnë për to. mb/
Foto: Kuvend