• петок, 13 март 2026

Dimitrieska-Koçoska: Situata me burimet energjetike aktualisht është e qëndrueshme, nëse është e nevojshme do të ndërhyjmë

Dimitrieska-Koçoska: Situata me burimet energjetike aktualisht është e qëndrueshme, nëse është e nevojshme do të ndërhyjmë

Shkup, 12 mars 2026 (MIA) - Situata me burimet e energjisë po monitorohet nga afër dhe nëse është e nevojshme, Qeveria do të ndërhyjë. Tani, për momentin, nuk besoj se situata është jashtë kontrollit. Le të mos i dramatizojmë gjërat dhe të mos shtojmë më shumë se sa ka. Kemi rezerva të mjaftueshme të burimeve të energjisë, ndërsa me marketet është rënë dakord që nëse vërejnë rritje të çmimeve hyrëse të produkteve, ta informojnë Inspektoratin e Tregut, thotë Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska - Koçoska.

Në një intervistë për televizionin Kanal 5, Ministrja e Financave shpjegon se kriza aktuale është krejtësisht e ndryshme nga ajo e vitit 2022 dhe se Ministria e Financave mund të reagojë pasi të shpallet gjendja e krizës.

"Çdo ditë bëhen analiza se çfarë po ndodh në Lindjen e Afërt dhe si po lëviz çmimi i naftës, dhe ajo që Ministria mund të ndërmarrë ose të veprojë është pasi të shpallet një krizë ose gjendje lufte. Të martën nuk kishte propozim për gjendje krize sepse patëm një rënie të çmimeve të naftës. Po bëjmë edhe një krahasim me atë që po ndodhte në vitin 2022. Nëse e krahasojmë me vitin 2022, saktësisht më 12 mars, çmimi i naftës ishte 117 dollarë për fuçi, ndërsa sot kemi një situatë në të cilën çmimi i naftës është rreth 100 dollarë për fuçi. Tani kemi një situatë krejtësisht të ndryshme krahasuar me vitin 2022", theksoi Dimitrieska-Koçoska.

Ministrja thotë se në takimin me kompanitë e naftës, të gjithë konfirmuan se kanë rezerva të mjaftueshme.

"Nuk ka mungesë nafte dhe secila prej kompanive të naftës e tha këtë kur ishte në takim. Mund të pohoj me përgjegjësi se pyetëm secilën prej kompanive të naftës nëse kishin ndonjë problem. Përgjigja e pyetjes se pse disa stacione benzine nuk kishin naftë ishte se e kishin në depot e tyre dhe se u duhej kohë për ta transportuar në stacionet e benzinës. Asnjëra prej tyre nuk tha se po përballej me ndonjë problem mungese", tha Dimitrieska-Koçoska.

Lidhur me kritikat nga opozita se Qeveria është vonuar me masat, Ministrja e Financave theksoi se situata tani është krejtësisht e ndryshme nga ajo në vitin 2022.

"Atëherë, situata ishte shumë më ndryshe nga sot. Kishim inflacion shumë më të lartë se ky që kemi sot. Në vitin 2022, në muajin kur u vendosën masat, pati një rritje nominale të pagave prej 10 për qind, dhe një reale prej 1,2 për qind, përkatësisht inflacioni ishte 8,8 për qind, e rritja e ushqimit ishte 11,4 përqind. Sot, kemi një situatë ku ka një rritje reale të pagave në raport me inflacionin, ndërsa rritja e ushqimit është më e ulët", thekson Ministrja e Financave.

Në takimin me marketet, siç informoi, u ra dakord që nëse vërejnë ndryshime në çmimet hyrëse, duhet të informojnë Inspektoratin e Tregut.

"Kjo është e rëndësishme dhe ne nuk do të lejojmë që të na ndodhë ajo që ne e quajmë në gjuhën popullore profiterë të luftës. Ne po e monitorojmë situatën. Kryeministri është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesuara, po zhvillojmë takime në Qeveri. Po e monitorojmë me kujdes situatën, theksoi Ministrja e Financave. ls/

Foto: Printskrin

 

Остани поврзан