• петок, 15 мај 2026

Dimitrieska-Koçoska për MIA-n: Ribalanci nuk do të ndikojë në zërat e prekur që kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe masat për mbështetjen e qytetarëve

Dimitrieska-Koçoska për MIA-n: Ribalanci nuk do të ndikojë në zërat e prekur që kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe masat për mbështetjen e qytetarëve

Shkup, 13 maj 2026 (MIA) - Fokusi ynë mbetet në mbrojtjen e standardeve të jetesës së qytetarëve dhe ribalanci nuk do të shkojë përtej këtyre kornizave, shprehet ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në intervistë për MIA-n në kontekstin e bisedimeve të filluara për ribalancin e buxhetit.

Sipas Dimitrieska-Koçoska, qytetarët duhet të sigurohen se Buxheti është likuid, shërbehen të gjitha detyrimet, paguhen rregullisht pagat dhe pensionet dhe detyrimet ndaj ekonomisë.

"Në këtë kontekst, nuk do të preken zërat që kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe që realizohen në përputhje me dinamikën e planifikuar, veçanërisht investimet kapitale, si dhe masat për të mbështetur qytetarët që synojnë përmirësimin e standardeve të jetesës", thekson Dimitrieska-Koçoska.

Sipas saj, ribalanci buxhetor do të mbetet baza e kornizës afatmesme fiskale të përcaktuar nga Strategjia fiskale për periudhën e viteve 2027-2031.

Në përputhje me të dhënat e publikuara në tremujorin e parë të këtij viti, borxhi publik në shumën absolutë arriti në 10.747 miliardë euro ose 59,7 për qind të PBB-së dhe, thekson ministrja, shënon rënie për 1,5 për qind krahasuar me situatën e 30 qershorit të vitit 2024 ose kur morëm pushtetin.

“Kemi qasje shumë të kujdesshme në menaxhimin e borxhit publik dhe financave publike në përgjithësi dhe jemi të angazhuar fuqimisht për krijimin e kushteve për arritjen e normave më të larta dhe të qëndrueshme të zhvillimit”, shprehet ministrja e Financave.

Në vazhdim është intervista e plotë për MIA-n me ministren e Financave Dimitrieska-Koçoska:

Ministre, keni filluar takimet për riformatimin e thesarit shtetëror për vitin 2026. Cilat zëra do të pësojnë ndryshime, respektivisht ku mund të priten shkurtime?

"Po, që nga fillimi i kësaj jave kemi filluar të takohemi me përdoruesit e buxhetit në lidhje me përgatitjen e ribalancit të buxhetit për vitin 2026, me qëllim përcaktimin e prioriteteve në të cilat do të përqendrohemi deri në fund të vitit, duke marrë parasysh pasigurinë e shkaktuar nga zhvillimet gjeopolitike dhe luftën në Lindjen e Afërt. Të mos harrojmë se ekonomia jonë nuk është imune ndaj zhvillimeve jashtë vendit dhe për këtë arsye kemi një qasje veçanërisht të kujdesshme në krijimin e politikave që do të sigurojnë stabilitet, qëndrueshmëri dhe zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë së Meqedonisë së Veriut.

Qasja në bisedimet me ministrat bazohet në projektet e përfunduara në të vërtetë dhe pritjet reale për zbatimin e tyre të mëtejshëm deri në fund të vitit, me qëllim që mjetet të përqendrohen në prioritete që janë të realizueshme, të matshme dhe që kanë efekt konkret.

Fokusi ynë mbetet mbrojtja e standardeve të jetesës së qytetarëve dhe ky ribalancim nuk do të shkojë përtej kësaj. Sipas Dimitrieska-Koçoska, qytetarët duhet të sigurohen se Buxheti është likuid, shërbehen të gjitha detyrimet, paguhen rregullisht pagat dhe pensionet dhe detyrimet ndaj ekonomisë. Në këtë kontekst, nuk do të preken zërat që kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe që realizohen në përputhje me dinamikën e planifikuar, veçanërisht investimet kapitale, si dhe masat për të mbështetur qytetarët që synojnë përmirësimin e standardeve të jetesës.

Në këtë moment, takimet janë ende në vazhdim dhe kur të mbarojnë, do të kemi pasqyrë më të qartë, por në parim, me ribalancimin e Buxhetit, do të mbetemi në thelbin e kornizës afatmesme fiskale të përcaktuar nga Strategjia fiskale për periudhën e viteve 2027-2031, e cila u miratua kohët e fundit nga Qeveria.

Përmendët se me ribalancimin, Qeveria nuk devijon nga qëllimi i vendosur i konsolidimit fiskal. A do të arrijmë dhe kur do t'i arrijmë ato rregulla fiskale prej 3 për qind të deficitit buxhetor dhe borxhit publik deri në 60 për qind?

- Me Strategjinë e miratuar fiskale, mbi të cilën bazohet politika fiskale që do të zbatojmë këtë vit, dhe që do të pasqyrohet në ribalancim, qëllimet kryesore mbeten sigurimi i financave të qëndrueshme publike dhe financave të qëndrueshme në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, zbatimi i konsolidimit gradual dhe të përgjegjshëm fiskal duke ulur deficitin buxhetor, si dhe ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe financiar në kushtet e paqëndrueshmërisë energjetike dhe çmimore. Kur them konsolidim fiskal, e bazoj veçanërisht në përgjegjësinë dhe disiplinën fiskale në planifikimin dhe përdorimin e mjeteve publike, në kuadër të mundësive reale dhe të qëndrueshme fiskale. Në praktikë, kjo do të thotë që ne do të shkojmë me një zbatim në faza, pa kufizime të papritura sepse nuk duam të shkaktojmë dëme në ekonomi dhe të prishim ciklin e rritjes ekonomike prej rreth 3,5 për qind që kemi arritur në periudhën e fundit prej një viti e gjysmë. Pra, përpiqemi të arrijmë rregullin që ju theksoni në pyetjen e 3 përqindshit të vitit 2028 për të rënë më tej nën atë nivel, por në të njëjtën kohë do të jemi të kujdesshëm për të krijuar kushte për rritje ekonomike. Konsolidimi fiskal nuk është vetëm çështje për të cilën duhet të punojmë, por edhe proces që është në disa mënyra është mësa i nevojshëm, duke qenë se kemi pasiguri në vazhdimësi dhe duhet të krijojmë rezervë për goditjet e mundshme në të ardhmen. Do të theksoj se kjo është një çështje e rëndësishme që na prek jo vetëm neve, por shumë vende në Evropë luftojnë me deficite të larta buxhetore, por për ne është sfidë më e madhe sepse ne jemi gjithashtu vend në zhvillim. Prandaj, konsolidimi fiskal dhe planifikimi dhe shpenzimi i kujdesshëm dhe i disiplinuar i mjeteve publike mbeten prioritet në politikën fiskale.

A pasqyrohet kjo qasje edhe në fushën e menaxhimit të borxhit publik. Cila është strategjia e Ministrisë së Financave?

- Ministria e Financave, në përputhje me dinamikën e shpalljes së situatës së borxhit publik, njoftoi në fund të muajit prill situatën e borxhit publik për tremujorin e parë të vitit 2026. Në përputhje me të dhënat e publikuara në tremujorin e parë të këtij viti, borxhi publik në shumën absolutë arriti në 10,747 miliardë euro ose 59,7 për qind të PBB-së dhe shënon rënie për 1,5 për qind krahasuar me situatën e 30 qershorit të vitit 2024 ose kur morëm pushtetin.

Për të sqaruar, kjo do të thotë se mjetet buxhetore kanë kontribuar në rritjen e ekonomisë, e cila është më e madhe se rritja absolute e borxhit. Dhe kur flasim për huamarrjet, justifikimi i tyre shihet në atë në të cilën janë drejtuar. Për të qenë më të qartë për publikun kur bëhet fjalë për huamarrjen, kjo Qeveri ka sfidë të madhe me servisimin e detyrimeve të vjetra që janë realizuar në të kaluarën dhe janë maturuar në këto katër vite. Më lejoni t'ju kujtoj se vitin e kaluar kemi bërë shlyerjen e një eurobondi prej 500 milionë eurosh, këtë vit shlyerja është një eurobond prej 700 milionë eurosh dhe gjysma e këtij eurobondi tashmë është servisuar, dhe gjysma do të servisohet gjatë qershorit të viti 2026. Ose në mënyrë më drastike, gjithsej 9 miliardë euro borxhe të vjetra në bazë të kryegjëse dhe interesit mbi borxhin që kjo Qeveri është e detyruar të servisojë nga viti 2026 deri në vitin 2031.

Menaxhimi i borxhit publik, veçanërisht kur niveli ka arritur tashmë atë moment psikologjik prej 60 për qind, kërkon kujdes të madh për të ruajtur stabilitetin në financat publike dhe në kushtet kur duhet të financohet edhe zhvillimi. Çfarë tregojnë shifrat, ne mund të flasim për këtë për të dhënë një pasqyrë të qartë të asaj që bëjmë kur flasim për borxhin publik. Në vitin 2017, borxhi publik arriti në 4,78 miliardë euro, i cili arriti në 8,87 miliardë euro deri në tremujorin e dytë të vitit 2024, që është një dyfishim gjatë qeverisjes të qeverisë së mëparshme. Ajo që dua të theksoj dhe përsëris është se në periudhën nga gjysma e dytë e vitit 2024 deri në tremujorin e parë të këtij viti janë siguruar vetëm 1,2 miliardë euro për shërbimin e eurobonove, dhe kjo është vetëm kryegjëja dhe vetëm një pjesë e detyrimeve që janë maturuar, përveç të cilave janë detyrime mbi baza të tjera për zbatimin e projekteve dhe detyrimeve në tregun vendor. Për mua, janë të rëndësishme mjetet që i kemi siguruar për projekte në komunat në këtë periudhë, dhe natyrisht 250 milionë euro që kemi marrë hua në ekonomi dhe që tani janë të regjistruara në borxhin publik, por ato do të kthehen në buxhet. Gjëja më e rëndësishme është se me atë projekt kemi efekte në zhvillimin ekonomik. Të potencoj se ne kemi qasje shumë të kujdesshme në menaxhimin e borxhit publik dhe financat e përgjithshme publike dhe jemi të angazhuar fuqimisht në krijimin e kushteve për arritjen e normave më të larta dhe të qëndrueshme të zhvillimit.

foto: Arkivi i MIA-s

Остани поврзан