• сабота, 14 март 2026

Dimitrieska-Koçoska: Në periudhën e kaluar, kemi punuar me përkushtim dhe japim rezultatet sipas planit

Dimitrieska-Koçoska: Në periudhën e kaluar, kemi punuar me përkushtim dhe japim rezultatet sipas planit

Shkup, 13 mars 2026 (MIA) - Buxheti është likuid, paratë janë siguruar në kohë dhe ka hapësirë për masa nëse është e nevojshme - theksoi mbrëmë ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, e ftuar në emisionin “Vetëm intervisë” në TV Kanal 5.

“Kemi punuar me përkushtim në periudhën e kaluar dhe po japim rezultatet sipas planit. Qytetarët mund të jenë të sigurt. Kemi siguruar paratë në kohë. Kushtet sipas të cilave i siguruam mjetet ishin shumë të favorshme. Kemi emetuar eurobligacion me normë më të ulët të interesit”, theksoi ministrja e Financave.

Dimitrieska - Koçoska shtoi se ekziston një sfidë e madhe, por është inkurajues fakti që ka rritje të prodhimit të brendshëm bruto.

“Kjo është e rëndësishme sepse të gjitha shifrat, përfshirë edhe borxhin publik, i shohim si përqindje të PBB-së dhe sa më e madhe të jetë ajo, aq më shumë zvogëlohet borxhi publik, duke krijuar kështu hapësirë për huamarrje shtesë nëse paraqitet nevoja. E rëndësishme është mënyra se si zhvillohet politika e përgjithshme. Po, një pjesë është përmes ndihmës që pritet të jepet në formën e uljes së akcizave dhe tatimeve, që do të nënkuptonte të ardhura më të ulëta në buxhet, por do të reagojmë në mënyrë të duhur, ende ka hapësirë për reagime të mëtejshme”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.

Ministrja pret që politikat dhe vendimet që kjo Qeveri po i merr tani të ndihen realisht më vonë, sepse, siç thotë ajo, në ekonomi ekziston një dukuri që quhet vonesë kohore, përkatësisht për faktin se rritja ekonomike kërkon vazhdimësi për disa vite.

Gjatë intervistës ajo theksoi se nuk vlerëson që projeksionet për të ardhurat janë tepër optimiste dhe bëri një krahasim të të ardhurave në vitet 2025 dhe 2017, të cilat janë realizuar në 95.91% të planit për vitin 2025 dhe 95.81% për vitin 2017. Sa i përket anës së shpenzimeve, ajo theksoi se nuk ka shpenzime të parealizuara, përkatësisht se janë paguar të gjitha detyrimet, përfshirë edhe urdhërpagesat për realizimin e shpenzimeve kapitale.

“Gjithçka që arrin si urdhër në Thesarin e Ministrisë së Financave paguhet rregullisht dhe në përputhje me udhëzimet”, sqaroi ministrja. fc/

Foto: Printskrin

Остани поврзан