• сабота, 16 мај 2026

Dimitrieska-Koçoska nga Bratisllava: Përvojat sllovake të rëndësishme për reformat, dixhitalizimin dhe luftën kundër ekonomisë gri

Dimitrieska-Koçoska nga Bratisllava: Përvojat sllovake të rëndësishme për reformat, dixhitalizimin dhe luftën kundër ekonomisë gri

Shkup, 7 maj 2026 (MIA) - Digjitalizimi i proceseve tatimore, përmirësimi i menaxhimit të financave publike, analiza e shpenzimeve publike dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik ishin tema diskutimi në takimin e punës midis delegacioneve të Maqedonisë dhe Sllovakisë, të udhëhequra nga ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska dhe ministri i Financave Ladisllav Kamenicki, i cili u zhvillua sot në suaza të vizitës zyrtare të ministres në Sllovaki. 

Në takimin e punës ndërmjet dy delegacioneve u diskutua gjendja aktuale makroekonomike dhe fiskale, analiza e shpenzimeve publike, menaxhimi dhe evoluimi i investimeve publike, si dhe mjetet digjitale në sistemin tatimor, duke përfshirë e-faturën, e-fiskalizimin dhe pagesat QR.

“Më lejoni së pari të shpreh kënaqësinë time lidhur me takimin e sotëm me kolegun tim, ministrin e Financave të Sllovakisë, Ladisllav Kamenicki, si dhe ta falenderoj për mikpritjen e treguar dhe qasjen konstruktive në bisedime, që është një tjetër konfirmim i dialogut të vazhdueshëm dhe cilësor midis dy vendeve dhe angazhimit tonë të ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik”, tha ministrja Dimitrieska-Koçoska në konferencën e përbashkët për shtyp. 

Ajo theksoi se përvojat e Sllovakisë në digjitalizimin e proceseve tatimore janë shembull domethënës se si përmes teknologjisë mund të rritet efikasiteti, transparenca dhe lufta kundër ekonomisë gri dhe evazionit tatimor.

Si pjesë e bisedimeve, u debatua edhe tema e procesit të Analizës së shpenzimeve (Spending Review),me ç’rast, sipas Agjendës reformuese 2024–2027 në Maqedoni, do të fillojë në vitin 2026, i cili është hap i rëndësishëm drejt menaxhimit më efikas dhe transparent të financave publike.

“Maqedonia tashmë është në fazën e vendosjes së sistemit të e-faturës, ndërsa deri në fund të vitit presim implementimin e tij të plotë”, theksoi ministrja.

Ministrja Dimitrieska-Koçoska iu referua edhe lëvizjeve ekonomike në vend, duke theksuar se ekonomia maqedonase në vitin 2025 ka realizuar rritje prej 3.5%, e nxitur kryesisht nga investimet dhe kërkesa e brendshme, me kontribut të konsiderueshëm nga projektet infrastrukturore dhe sektori privat. Sa i përket pritshmërive ekonomike për vitin 2026, ajo theksoi se Qeveria mbetet e kujdesshme në kushtet e pasigurisë globale, por se projeksioni i rritjes bazohet në investimet, reformat strukturore dhe mbështetjen e sektorit privat.

“Fokusi ynë mbetet i qartë – financa publike të qëndrueshme, mbështetje për investimet, digjitalizim të shërbimeve, luftë kundër ekonomisë gri dhe përmisim të mjedisit afarist”, theksoi ministrja.

Ajo shtoi se përvoja e Sllovakisë si vend anëtar i Bashkimit Evropian ka rëndësi të veçantë për Maqedoninë, veçanërisht në pjesën e menaxhimit të financave publike dhe zbatimin e reformave të lidhura me integrimin evropian.

Ministri Kamenicki theksoi gatishmërinë e Sllovakisë për shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizave në fushën e financave publike, digjitalizimin dhe proceset reformuese, me qëllim të përkrahjes së zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian të Maqedonisë.

Ministrja shprehu besimin se bashkëpunimi mes të dyja vendeve do të vazhdojë të thellohet edhe në periudhën e ardhshme përmes iniciativave konkrete, shkëmbimit të ekspertizave dhe aktiviteteve të përbashkëta që do të kontribuojnë në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe kushteve më të mira për qytetarët dhe bizneset e të dyja vendeve.

Foto: Ministria e Financave

Остани поврзан