Bota po përballet me një garë të re të parregulluar të armatimit
- Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh deklaroi se skadimi i Marrëveshjes START i Ri, i cili kufizonte arsenalet strategjike bërthamore të Rusisë dhe SHBA-së, është një moment i errët për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare dhe u bëri thirrje Moskës dhe Uashingtonit të arrijnë një marrëveshje të re mbi kontrollin e armëve të shkatërrimit në masë sa më shpejt të jetë e mundur.
Nju Jork, 5 shkurt 2026 (MIA) – Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh deklaroi se skadimi i Marrëveshjes START i Ri, i cili kufizonte arsenalet strategjike bërthamore të Rusisë dhe SHBA-së, është një moment i errët për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare dhe u bëri thirrje Moskës dhe Uashingtonit të arrijnë një marrëveshje të re mbi kontrollin e armëve të shkatërrimit në masë sa më shpejt të jetë e mundur.
Marrëveshja START i Ri (Strategic Arms Reduction Treaty), i cili kufizonte numrin e kokave bërthamore që posedonin SHBA dhe Rusia, skadoi në mesnatë.
"Për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli, po përballemi me një botë pa kufizime detyruese mbi arsenalet strategjike bërthamore të Rusisë dhe SHBA-së - dy vendet që zotërojnë shumicën dërrmuese të armëve bërthamore në botë", theksoi Gutereshi.
Ai shtoi se humbja e dekadave të tëra të arritjeve në kontrollin e armëve "nuk mund të vinte në një kohë më të keqe" dhe paralajmëroi se kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore nuk ka qenë kurrë më i madh.
Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë tha dje se pas skadimit të Marrëveshjes START i Ri, vendet nënshkruese nuk janë më të detyruara nga angazhimet ose deklaratat simetrike dhe janë të lira të zgjedhin hapat e tyre të mëtejshëm.
Në komunikatën e Ministrisë së Jashtme ruse thuhet se Moska ende po përpiqet të vazhdojë Marrëveshjen duke rikujtuar se iniciativa e fundit ishte nga presidenti rus Vlladimir Putin e paraqitur më 22 shtator të vitit të kaluar. Ai më pas propozoi që kufizimet e armëve strategjike të parashikuara në Marrëveshje të jenë të vlefshme për të paktën një vit pas skadimit të tij, por SHBA ende nuk i është përgjigjur propozimit të Putinit.
"Në rrethanat aktuale, nisemi nga fakti se palët e START i Ri nuk janë më të detyruara nga asnjë detyrim ose deklaratë simetrike brenda kornizës së Marrëveshjes, duke përfshirë dispozitat e tij kryesore dhe në parim janë të lira të zgjedhin hapat e tyre të mëtejshëm. Rusia ka për qëllim të veprojë në një mënyrë të përgjegjshme dhe të ekuilibruar dhe do të zhvillojë politikën e saj në fushën e armëve ofensive strategjike në bazë të një analize të detajuar të politikës ushtarake amerikane dhe situatës së përgjithshme në sferën strategjike", thekson Ministria e Jashtme Ruse.
Gjithashtu theksohet se Moska do të ndërmarrë masa vendimtare ushtarako-teknike për t'iu përgjigjur kërcënimeve të mundshme shtesë ndaj sigurisë kombëtare.
"Njëherësh, vendi ynë mbetet i hapur për të kërkuar zgjidhje politiko-diplomatike për një stabilizim gjithëpërfshirës të situatës strategjike mbi bazën e një dialogu të barabartë dhe të dobishëm reciprokisht, nëse krijohen kushte të përshtatshme për një bashkëpunim të tillë", thekson Moska.
Marrëveshja START i Ri është nënshkruar në vitin 2010 dhe është marrëveshja e fundit për kontrollin e armëve midis Rusisë dhe SHBA-së, duke kufizuar arsenalet e të dy vendeve në një maksimum prej 1,550 kokash bërthamore dhe një numër maksimal të transportuesve të raketave dhe bombarduesve të rëndë në 800. Kjo ishte pothuajse 30 për qind më pak armë bërthamore se sa limiti i mëparshëm nga viti 2002.
Foto: EPA