BDI: Institucionet duhet të veprojnë ndaj rritjes së çmimeve
- Shkup, 13 mars 2026
Shkup, 13 mars 2026
Prej një jave qytetarët përballen me një rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazë dhe të derivateve të naftës. Në këtë periudhë, Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria ka qëndruar në heshtje, pa asnjë masë konkrete për të zbutur presionin mbi buxhetet familjare, theksohet në kumtesën e BDI-së të cilën MIA e përcjell në formë integrale.
Nga e hëna pritet një rritje e re e çmimeve të derivateve. Kjo do të ketë efekt të drejtpërdrejtë në çmimet e transportit, të ushqimit dhe të shërbimeve, duke e rritur më tej koston e jetesës për qytetarët dhe për bizneset.
Në një situatë të tillë, roli i institucioneve është të veprojnë. Deri tani nuk kemi parë as plan, as masa për stabilizimin e tregut dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve.
Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron se ekzistojnë hapa të menjëhershëm që mund të ndërmerren:
– Rritje lineare e pagave prej 3500 denarë, duke filluar me pagat e muajit mars.
– Ngrirje e përkohshme e çmimeve për produktet bazë ushqimore.
– Aktivizim i rezervave shtetërore të naftës, të cilat janë blerë me çmim më të ulët se 70 denarë për litër, për të amortizuar goditjen e tregut.
– Vauçer prej 3000 denarësh për punonjësit që punojnë jashtë vendbanimit të tyre, për të kompensuar rritjen e kostos së transportit.
Këto janë masa të realizueshme që mund të ndërmerren menjëherë nëse ekziston vullnet institucional.
Qytetarët kanë nevojë për reagim të shpejtë dhe politika ekonomike që i mbrojnë në kohë krize. Heshtja institucionale nuk është përgjigje për rritjen e çmimeve.