• сабота, 07 март 2026

BDI: Heqja e lidhjes me Shqipërinë nga korridori 8 do të shkatërron vetë korridorin

BDI: Heqja e lidhjes me Shqipërinë nga korridori 8 do të shkatërron vetë korridorin

 6 mars 2026

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Para disa ditësh Ministri i Transportit deklaroi publikisht se segmenti Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë, pjesë e Korridorit 8, mund të përjashtohet nga projekti, duke u arsyetuar me kufizime që lidhen me UNESCO-n, theksohet nl komunikatën e BDI-së, të cilën MIA e transmeton në formë integrale.

Kjo deklaratë është alarmante dhe e papranueshme.

Korridori 8 nuk është një projekt lokal infrastrukture.

Ai është korridor strategjik që lidh Adriatikun me Detin e Zi, duke bashkuar Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë në një aks të vetëm ekonomik dhe gjeopolitik.

Segmenti Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë është pjesë përbërëse e këtij korridori dhe pjesë e planit të miratuar dhe të kontratave ekzistuese.

Heqja e këtij segmenti nuk është thjesht ndryshim teknik.

Do të thotë të dëmtohet vetë logjika dhe funksioni i Korridorit 8.

Sepse pa këtë segment, ndërpritet lidhja natyrore e korridorit mes Adriatikut dhe Ballkanit Lindor.

Kjo nuk është vetëm çështje infrastrukture.

Kjo është edhe çështje gjeostrategjike.

Korridori 8 është një nga projektet që forcon lidhjen perëndim–lindje në krahun jugor të NATO-s.

Dobësimi i këtij korridori hap hapësirë për promovimin e aksit veri–jug, që përkon me projekte infrastrukturore të promovuara në rajon nga aktorë të tjerë gjeopolitikë.

Dhe ne e dimë shumë mirë se pas këtij orientimi shpesh qëndron ndikimi i projekteve që lidhen me Serbinë, si dhe me interesat e Kinës dhe Rusisë në rajon.

Prandaj çdo tentativë për të dobësuar Korridorin 8 duhet parë me seriozitet maksimal.

Dje në Strugë ishte zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekoli.

Ajo promovoi projekte të tjera, por nuk tha asnjë fjalë për deklaratën e ministrit të saj.

Asnjë reagim.

Asnjë sqarim.

Asnjë qëndrim.

Ministri paralajmëron përjashtimin e Strugës nga Korridori 8, ndërsa zëvendësministrja shqiptare hesht.

Por në heshtje nuk është vetëm zëvendësministrja.

Hesht edhe kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, i cili në vend që të mbrojë interesin e qytetit që drejton, po shërben si alibi për këtë situatë.

Prandaj sot shtrojmë disa pyetje të drejtpërdrejta:

A po planifikon qeveria të heqë segmentin Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë nga Korridori 8?

A është kjo arsyeja pse ministri e paralajmëroi publikisht këtë mundësi?

Dhe pse zëvendësministrja Kaltrina Zekoli dhe kryetari i Komunës së Strugës nuk kanë thënë asnjë fjalë për këtë çështje?

Qytetarët meritojnë përgjigje të qarta.

Korridori 8 është projekt strategjik shtetëror dhe ndërkombëtar.

Ai nuk mund të ndryshohet me deklarata të rastësishme apo me kalkulime politike.

Çdo tentativë për të përjashtuar Strugën nga ky korridor është e papranueshme.

Kërkojmë nga Ministria e Transportit dhe nga Qeveria të sqarojnë menjëherë nëse segmenti Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë mbetet pjesë e Korridorit 8.

Sepse dobësimi i këtij korridori nuk dëmton vetëm Strugën.

Ai dëmton rolin strategjik të Maqedonisë së Veriut në lidhjen Adriatik – Deti i Zi dhe në arkitekturën e sigurisë së NATO-s në rajon.

Dhe kjo është diçka që nuk mund të pranohet.

Остани поврзан