• сабота, 16 мај 2026

Banka Botërore: Rritje prej 2,9 për qind të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, 3 për qind në vitin 2027 dhe 2028

Banka Botërore: Rritje prej 2,9 për qind të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, 3 për qind në vitin 2027 dhe 2028

Shkup, 29 prill 2026 (MIA) – Banka Botërore parashikon rritje të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut prej 2,9 për qind për këtë vit, vlerë që është për 0,1 për qind më e ulët nga projektimi paraprak, si dhe prej 3 për qind në vitin 2027 dhe 2028. 

Një raport i publikuar sot nga Bankëa Botërore vlerëson se rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor pritet të vazhdojë të ngadalësohet në vitet 2026 dhe 2027, e nxitur nga konflikti në Lindjen e Mesme, inflacioni i vazhdueshëm dhe pasiguria e shtuar. Ai sugjeron që për të ruajtur vrullin e reformave në një rajon që përballet me mungesë në rritje të fuqisë punëtore, rritja e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore do të jetë thelbësore.

Raporti i rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor parasheh se rritja ekonomike rajonale në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi do të arrijë 2,8 për qind në mesatare në vitin 2026, që është për 0,3 pikë përqindjeje nën projeksionet paraprake. Pritet që rritja të rritet mesatarisht në 3,2 për qind në vitin 2027.

“Pasiguria globale dhe tensionet gjeopolitike po pengojnë rritjen në Ballkanin Perëndimor, ndërsaa rritja e çmimeve po godet drejtpërdrejt portofolet e njerëzve”, tha Shiaoqing Ju, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Ajo thekson se ndërsa qeveritë po zbatojnë masa fiskale afatshkurtra për të lehtësuar presionet mbi familjet dhe kompanitë, progresi afatgjatë varet nga krijimi i vendeve të reja të punës.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një sasi të madhe potenciali të pashfrytëzuar – gra, të rinj dhe të tjerë që duan të punojnë, por përballen me pengesa reale në tregun e punës. Integrimi i tyre në fuqinë punëtore është një nga hapat më efektivë që rajoni mund të ndërmarrë për të forcuar ekonominë e tij”, thotë Ju.

Raporti vëren se popullsia e rajonit po plaket më shpejt se në pjesën më të madhe të Evropës, me një në pesë persona mbi 65 vjeç në dekadën e ardhshme. Në të njëjtën kohë, popullsia që punon po kërkon gjithnjë e më shumë mundësi më të mira jashtë vendit, duke krijuar një paradoks – mungesë të fuqisë punëtore në sektorët kryesorë, ndërsa disa njerëz mbeten të papunë ose tërhiqen nga tregu i punës. Përveç kësaj, theksohet se rajoni nuk po e përdor mjaftueshëm kapitalin e tij njerëzor. Nëse normat e aktivitetit do të silleshin në përputhje me ato në vendet e krahasueshme të BE-së, do të siguroheshin mbi 2,8 milionë punëtorë shtesë. Vetëm punësimi më i lartë i grave mund të rriste rritjen vjetore me rreth 0,35 pikë procentuale. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан