• сабота, 16 мај 2026

AUV shqiptoi gjoba mbi 19 mijë euro, ka asgjësuar 272 kilogramë ushqim të pasigurt dhe 40 tonë vezë të kontrabanduara para Pashkëve

AUV shqiptoi gjoba mbi 19 mijë euro, ka asgjësuar 272 kilogramë ushqim të pasigurt dhe 40 tonë vezë të kontrabanduara para Pashkëve

Shkup, 16 prill 2026 (MIA) - Gjoba mbi 19 mijë euro kanë shqiptuar shërbimet inspektuese të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) ndaj operatorëve të ushqimit, në kuadër të 1.221 kontrolleve të jashtëzakonshme që u realizuan para festave të Pashkëve, njoftojnë nga AUV.

"Janë asgjësuar edhe më shumë se 272 kilogramë ushqim i pasigurt, pjesa më e madhe me origjinë shtazore. Gjithashtu, në mënyrë të sigurt janë asgjësuar në deponinë "Drisla" edhe më shumë se 40 tonë vezë të pasigurta me origjinë nga Serbia fqinje, të cilat u penguan të kontrabandoheshin në vend", thuhet në njoftimin e AUV.

Nga atje shtojnë se për parregullsitë e konstatuara gjatë kontrolleve të jashtëzakonshme (hedhja në treg e ushqimit me afat të skaduar, përdorimi i mishit të ngrirë (triming) në përgatitjet e mishit, produkte të shënuara në mënyrë të papërshtatshme dhe parregullsi të tjera), janë marrë 35 vendime për largimin e tyre dhe janë shqiptuar edhe gjashtë vërejtje.

"Me kontrollet, të cilat ishin të drejtuara drejt të gjitha segmenteve të zinxhirit ushqimor dhe kishin për qëllim të parandalonin hedhjen në treg të produkteve të pasigurta dhe të luftonin tregtinë e paligjshme para festave të Pashkëve, është konstatuar gjithashtu se shtatë nga objektet nuk kanë qenë të regjistruara si operatorë ushqimorë në Agjenci. Tre operatorë nuk kishin kryer kontrollet e detyrueshme shëndetësore për punonjësit dhe nuk i përmbushnin kërkesat në lidhje me përgatitjen profesionale për trajtimin e ushqimit, ndërsa te 13 operatorë janë konstatuar kushte të pakënaqshme higjienike dhe teknike në objektet e punës", shtojnë nga AUV-ja. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

Тагови

Остани поврзан