• петок, 21 март 2025

Arrestime të reja për rastin në Koçan, gjendja e të lënduarve është stabile

Arrestime të reja për rastin në Koçan, gjendja e të lënduarve është stabile

Shkup, 21 mars 2025 (MIA) - Aktivitetet e policisë dhe Prokurorisë mbi hetimin për zjarrin në Koçan ku humbën jetën 59 të rinj dhe rreth 200 u lënduan, kanë vazhduar mbrëmë me aksionet për arrestimin e personave të përfshirë në rastin si të dyshuar.

Sipas informacioneve të para, janë arrestuar ish kryetarët e Komunës së Koçanit, Nikollço Iliev dhe Ratko Dimitrovski dhe kryetari në dorëheqje, Lupço Papazov. Prokuroria publike njofton se sot do të informojë për aksionin e ekipeve policore të kryera me urdhër të Prokurorisë publike të Koçanit, ku ekipi i prokurorisë është duke punuar në hetime.

Papazov është marrë në pyetje nga PTHP Koçan më 17 mars, ndërsa Prokuroria pas përfundimit të marrjes në pyetje ka paralajmëruar se do të merret vendim për statusin e tij të mëtutjeshëm në procedurë.

Pritet të merren hapat e ardhshëm të ekipit të prokurorëve dhe për shkak të skadimit të masës së paraburgimit që iu shqiptua 18 personave në procedurë paraprake. Me aktivitetet hetimore para arrestimit të tre ish kryetarëve të bashkive janë përfshirë edhe 28 persona.

Tashmë është hapur hetim dhe është lëshuar urdhri për paraburgim prej 30 ditësh për shtatë zyrtarë, punonjës të SPB Shtip dhe Koçan të cilët dyshohet se janë bashkëkryerës, duke përgatitur, nënshkruar dhe miratuar një pëlqim pozitiv duke i mundësuar personit juridik të pajiset me licencë për kryerjen e veprimtarive hotelerike – kabare, edhe pse objekti nuk i ka përmbushur kushtet ligjore.

Sipas prokurorit publik Lupço Kocevski, të gjitha provat në lidhje me diskotekën “Puls” iniciojnë për krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshne për të cilat parashihet dënim deri në 20 vjet burg.

Ai bën të ditur se hetimet do të jenë të shpejta, efikase dhe gjithëpërfshirëse, si dhe përgjegjësi do të mbajnë edhe ata që bartin një pjesë të fajit për fatkeqësinë përmes mosveprimit dhe mospërfilljes së detyrave zyrtare.

Sipas informacioneve të fundit nga Ministria e Shëndetësisë, gjendja e të lënduarve nga zjarri është stabile dhe në përmirësim. Nga 20 që kanë qenë në gjendje kritike, 10 janë në gjendje më të rëndë, por janë jashtë rrezikut për jetën. Në vend 62 pacientë janë duke u trajtuar, derisa 111 jashtë vendit. Tre janë liruar për mjekim në shtëpi, ndërsa pritet të lëshohen edhe tre të tjerë. Të hënën pritet të kthehen në vend pacientët e parë nga jashtë.

"Të gjithë pacientët që trajtohen këtu dhe jashtë vendit janë në gjendje stabile dhe të mirë, shumica janë në përmirësim. Shpresoj që nga java e ardhshme të mund t’ju ​​informojmë se sa pacientë po vazhdojnë trajtimin në shtëpi dhe ata që do të kthehen nga jashtë”, tha dje ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.

Siç paralajmëroi drejtori i Fondit për sigurim shëndetësor, Sasho Klekovski, transporti i fundit me dy persona të lënduar do të jetë për në Çeki. Ai pret që të hënën të kthehen në vend pacientët e parë që pësuan nga zjarri në Koçan që trajtohen jashtë vendit.

Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se deri dje janë siguruar gjithsej 42.739.931,00 denarë. Mjetet janë të dedikuara ekskluzivisht për përkrahjen e viktimave nga zjarri në Koçan. Ndihma mund të jepet përmes llogarisë së Fondit të Solidaritetit të Kryqit të Kuq të RMV-së: 300000001327966, numri tatimor: 4030984271620 SHA Banka Komerciale me emërtim: ndihmë për qytetarët e goditur nga zjarri në Koçan si dhe duke telefonuar në numrat e telefonit të Telekomi i Maqedonisë, A1 Maqedoni, MTel 143 400 (donacion prej 100 denarë nga telefonata).

Në zjarrin në diskotekën në Koçan humbën jetën 59 persona të moshës prej 16 deri 48 vjet. Numri më i madh i viktimave kanë qenë të moshës 24 dhe 26 vjet.  Sipas të dhënave zyrtare të publikuara, gjashtë persona janë të moshës prej 21 vjet, ndërsa të moshës prej 18 dhe 36 vjet kanë vdekur nga katër persona. Të moshës 16-vjeçare janë tre, po aq edhe në moshën 17-vjeçare dhe në 25 vjet. Nga dy të vdekur ka në 20, 23, 27, 31, 38 dhe 44 vjet. Nga një të vdekur ka të moshës prej 19, 29, 32,33, 43, 47 dhe 48 vjet. Në fatkeqësinë jetën e humbën edhe tre persona të bendit DNK.

Viktimat nga zjarri në Koçan janë varrosur dje në varrezat në Koçan, Shtip, Obleshevë dhe Shkup. 

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

Остани поврзан