• сабота, 17 јануари 2026

Armata siriane përgatit ofensivë kundër kurdëve në veri dhe lindje të vendit

Armata siriane përgatit ofensivë kundër kurdëve në veri dhe lindje të vendit

Damask, 16 janar 2026 (MIA) - Forcat siriane po përgatiten të nisin sulme ndaj qyteteve në veri dhe lindje të vendit të kontrolluara nga luftëtarët kurdë për të ushtruar presion mbi autoritetet kurde që të bëjnë lëshime për shkak të ngërçit në bisedimet me qeverinë në Damask, deklaruan sot për mediat britanike burime të njohura me situatën. 

Sipas burimeve, pas pesë ditë luftime në qytetin Alepo javën e kaluar midis FDS-së dhe armatës siriane, në të cilat u vranë të paktën 23 persona, tani kërcënohet një konflikt më i gjerë.

Burimet theksojnë se pesë divizione të armatës siriane mund të marrin pjesë në ofensivën e mundshme, të synuara drejt zonave të kontrolluara nga kurdët në provincat Alepo dhe Deir el-Zor. 

Armata siriane ka vendosur tashmë forca në zonën Deir Hafera dhe ka kërkuar nga Forcat demokratike siriane (FDS) të udhëhequra nga kurdët të tërhiqen në lindje të lumit Eufrat, duke hapur një korridor humanitar për civilët.

FDS e dënoi rritjen e trupave dhe tha se kundërshton çdo konflikt ushtarak, ndërsa Uashingtoni thekson se është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha palët për të ulur tensionet dhe për të vazhduar negociatat.

Pas konfliktit në Alepo, luftëtarët e fundit kurdë u larguan nga qyteti në orët e para të 11 janarit, duke i dhënë fund kontrollit kurd mbi dy pjesë të qytetit që ata kishin mbajtur që nga fillimi i luftës siriane në vitin 2011.

Lideri i FDS-së, Mazllum Abdi, deklaroi se është arritur marrëveshje me ndërmjetësim ndërkombëtar, që siguron evakuim të sigurt të civilëve të vdekur, të plagosur, të kapur rob dhe luftëtarëve nga ky qytet.

Përleshjet shpërthyen pas negociatave disa mujore vitin e kaluar për të integruar strukturat ushtarake dhe civile kurde në institucionet shtetërore deri në fund të vitit 2025, me përparim minimal.

Në mars të vitit 2025, forcat kurde nga FDS-ja, të cilat kontrollojnë pjesën më të madhe të Sirisë verilindore dhe kanë dhjetëra mijëra luftëtarë, nënshkruan marrëveshje me qeverinë siriane për të integruar të gjitha institucionet ushtarake dhe civile në shtetin sirian.

Të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën se po përpiqen të pengojnë negociatat që pasuan, kurse marrëveshja për integrimin e FDS-së në qeverinë siriane ende nuk është zbatuar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë kërkuar të dyja palëve të shmangin përshkallëzimin dhe të rikthehen në negociata, duke thënë se konflikti do të kërcënonte stabilitetin e Sirisë dhe të Lindjes së Afërt në përgjithësi, si dhe përpjekjet për të parandaluar kthimin e ekstremistëve të Shtetit Islamik.

Shefi i diplomacisë turke, Hakan Fidan, deklaroi se SDF duhet të tregojë vullnet të mirë duke u tërhequr nga zonat kontestuese, duke paralajmëruar se përndryshe qeveria siriane mund të përdorë forcën.

Autoritetet siriane paralajmërojnë se përhapja e konfliktit në Deir el-Zor mund të përfshijë edhe fiset lokale arabe, të pakënaqura nga pozicioni i tyre nën sundimin kurt. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

Остани поврзан