• четврток, 19 март 2026

Andonovski: Përforcim i kapaciteteve nacionale për siguri kibernetike për një shtet digjital të sigurt, të ndërlidhur dhe evropian

Andonovski: Përforcim i kapaciteteve nacionale për siguri kibernetike për një shtet digjital të sigurt, të ndërlidhur dhe evropian

Shkup, 26 shkurt 2026 (MIA) – Pajisje në vlerë prej 150 mijë euro, si dhe mbështetje këshillimore dhe trajnim i ekspertëve për Ekipin Qeveritar për reagim ndaj incidenteve kibernetike MKD-CIRT, të siguruara në kuadër të projektit “Mbështetja e BE-së për zhvillimin e kapaciteteve për siguri kibernetike në RMV”, u promovuan sot në Ministrinë e Transformimit Digjital.
 
 

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në fjalimin e tij në promovim, theksoi se projekti përfaqëson një shembull të fortë se si partneriteti me Bashkimin Evropian sjell rezultate konkrete për vendin, nëpërmjet përforcimit të kapaciteteve nacionale të sigurisë kibernetike dhe përmirësimit të qëndrueshmërisë së institucioneve.

“Qëllimi ynë është një shtet digjital i qartë, i sigurt, i lidhur dhe evropian”, deklaroi Andonovski.

Ministria e Transformimit Digjital ka përfunduar me sukses fazën e parë të bashkëpunimit me Akademinë për e-menaxhim (e-Governance Academy -EGA), në kuadër të nismës "EU Support to Western Balkans Cybersecurity Capacity Building", e financuar nga Bashkimi Evropian.

"Si fazë përfundimtare e projektit ishte donacioni i pajisjeve në vlerë prej 149.921 euro, me të cilin forcohen kapacitetet operative të GOV-CSIRT dhe përmirësohet mbrojtja e institucioneve shtetërore dhe infrastrukturës kritike digjitale. Kjo nënkupton zbulim më të shpejtë të kërcënimeve, reagim më efikas ndaj incidenteve dhe rezistencë më të madhe ndaj sulmeve kibernetike. Ky donacion është komplementar me investimet e Ministrisë prej më shumë se 1,5 milionë euro në pajisjen e plotë të CIRT-it Qeveritar", deklaroi Ministri Andonovski.
 
 Andonovski shprehu gjithashtu falënderim ndaj Bashkimit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe ndaj institucioneve dhe ekspertëve të përfshirë në zbatimin e aktiviteteve, duke theksuar se ky model bashkëpunimi është një shembull i një projekti ndërkombëtar efikas që synon rezultate reale dhe të matshme.

Ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, në fjalimin e tij, tha se teknologjitë e reja kanë digjitalizuar një pjesë të madhe të aktiviteteve tona të përditshme, gjë që sigurisht është në dobinë tonë, por nëse nuk jemi të mbrojtur mirë, mjedisi digjital dhe teknologjitë bëhen të ndjeshme ndaj sulmeve kibernetike dhe dëmi mund të jetë i madh.

“Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor në harmonizimin me standardet e sigurisë kibernetike të BE-së”, deklaroi Rokas.

Në kuadër të aktiviteteve më të gjera për të forcuar rezistencën kibernetike, si një hap i rëndësishëm në përforcimin e rezistencës kibernetike të vendit u theksuar edhe projekti trevjeçar "Cyber Balkans", i zbatuar nga Akademia për e-menaxhim dhe i financuar nga Bashkimi Evropian,

Projekti, siç informoi Milan Sekuloski, ekspert i lartë në Akademinë për e-menaxhim, kishte për qëllim përmirësimin e qëndrueshmërisë kibernetike në përputhje me praktikat më të mira evropiane, me fokus në harmonizimin e legjislacionit, ndërtimin e kapaciteteve institucionale, gatishmërinë operative dhe bashkëpunimin rajonal.

"Rezistenca kibernetike nuk ndërtohet brenda natës. Ajo kërkon themele të forta ligjore, institucione të afta dhe bashkëpunim të vazhdueshëm rajonal", tha Sekuloski.

 

Sekuloski theksoi se gjatë tre viteve të fundit kemi punuar ngushtë me partnerët tanë në Maqedoninë e Veriut dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor për të siguruar që reformat të jenë të qëndrueshme, në përputhje me standardet e BE-së dhe të mbështetura nga kapacitete të vërteta operative.

Në kuadër të projektit, siç theksoi Sekulovski, mbi 200 ekspertë të RMV-së kanë përfunduar me sukses trajnimin për sigurinë kibernetike.

 

Si pjesë e mbështetjes, siç informojnë nga Ministria e Transformimit Digjital, projekti kontribuoi në krijimin e një Qendre Qeveritare të Operacioneve të Sigurisë (GSOC) dhe një Ekipi për reagim ndaj incidenteve kompjuterike (CIRT), si dhe për zbatimin e ushtrimeve të nivelit të lartë në tryezë (TTX) për të testuar modelet e menaxhimit dhe mekanizmat e koordinimit të incidenteve. Përveç kësaj, u përgatit një plan zhvillimi i qëndrueshëm për GOV CIRT dhe hartëzimi i pajisjeve, me qëllim orientimin e investimeve të ardhshme dhe sigurimin e zhvillimit afatgjatë të kapaciteteve. ls/

 

Foto: MIA

Остани поврзан