• вторник, 17 март 2026

Anëtarë të bendit DNK dhe mysafirë dëshmuan për zjarrin në "Puls", spërkatësit u ndezën me këngën "Çfarëdo që të dojë, le të bëhet", gjykimi vazhdon më 5 mars

Anëtarë të bendit DNK dhe mysafirë dëshmuan për zjarrin në

Shkup, 25 shkurt 2026 (MIA) – Në sallën gjyqësore në “Idrizovë” sot vazhdoi gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, në të cilën më 16 mars të vitit 2025 humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 ishin lënduar. Dëshmuan anëtarë të bendit të DNK dhe mysafirë të mbijetuar, të cilët e përshkruanin panikun, rrëmujën dhe luftën për jetë natën e tragjedisë. 

Para gjykatës dëshmuan vokali shoqërues i grupit DNK, Ana Kostadinovska, muzikanti Goran Tonev, dhe dëshmitarët Roberto dhe Bojan, mysafirë në diskotekë. 

Kostadinovska, e cila nuk është anëtare e përhershme e grupit, por performoi si bashkëpunëtore e jashtme, tha se spërkatësit u ndezën gjatë këngës "Çfarëdo që të dojë, le të bëhet", gjë që, tha ajo, ishte praktikë e zakonshme në shfaqjet e tyre. Ajo theksoi se e ndjeu nxehtësinë dhe se vokalisti Panço tha të dilnin, por në fillim askush nuk e mori seriozisht situatën.

“Instinktivisht ngrita kokën. Po lëviznim ngadalë drejt daljes. Dera në të djathtën time ishte e mbyllur, kështu që morëm rrugën më të gjatë kur situata po përshkallëzohej”, tha Kostadinovska.

Ajo deklaroi se nuk e pa se kush i vendosi ose aktivizoi spërkatësit, duke shtuar se ishte e mundur që dikush nga ekipi teknik ose klubi ta ketë bërë këtë. Ajo ra në rrëmujë dhe u shtyp, dhe siç tha ajo, brenda kishte një erë të fortë, të cilën e përshkroi si diçka që e bënte të flinte. Ajo mori ndihmë nga një djalë i cili, sipas njohurive të saj, shpëtoi disa njerëz. Për shkak të lëndimeve dhe djegieve, ajo u trajtua në Koçan dhe Shkup dhe, siç tha ajo, ende po i ndjen pasojat.

Muzikanti Goran Tonev dëshmoi se ka pasur marrëveshje me gojë me tastieristin Filip Stefanovski që të performojë si kitarist me DNK dhe se natën ka mbërritur rreth orës 22. Mjetet piroteknike, sipas tij, tashmë ishin vendosur kur ishin ngjitur në binë. 

“Asnjëherë nuk kemi folur në lidhje me piroteknikë, gjithnjë kemi folur për repertorin dhe zërin. Nuk e di kush i ka vendosur, as kush i ka aktivizuar”, deklaroi Tonev. 

Ai theksoi se rreth orës 2:30 të mëngjesit, Panço i tha publikut të largoheshin sepse tavani kishte filluar të digjej, pas çka zjarri u përhap jashtëzakonisht shpejt. Ai përshkroi se pjesët e djegura pikonin nga tavani, i mbuluar me shkumë izolimi, dhe hapësira ishte e mbushur me tym të trashë dhe temperaturë të lartë. Për shkak të djegieve në rrugët e frymëmarrjes, vesh, qafë dhe dorë, ai u trajtua në Selanik dhe ende nuk është në gjendje ta kryejë plotësisht profesionin e tij.

Dëshmitari Roberto, i cili ishte mysafir dhe ishte ulur në tavolinë para binës, deklaroi se ka paguar biletë për hyrje prej 500 denarë, pa marrë faturë fiskale dhe se fatura nuk janë dhënë as për pije. Sipas tij, spërkatësit ishin aktivizuar në orën 2.32 kur po xhironte një video dhe pas djegies së tyre, ishte djegur një pjesë e tavanit. 

“Në fillim menduam se ishte një animacion, por kur e kuptuam se ishte zjarr, këngëtari na tha të dilnim jashtë”, tha dëshmitari, duke shtuar se ra gjatë daljes dhe filloi të humbiste ndjenjat, pas çka u nxor jashtë.

Ai deklaroi gjithashtu se nuk e kishte parë se kush i kishte instaluar ose aktivizuar spërkatësit, por se më parë kishte vënë re një person femër që i lëvizte ato sepse po i pengonin. Lidhur me akuzat për bastisje policore, ai deklaroi se policia mbërriti pasi shpërtheu zjarri.

Bojan Klimenkov, i mbijetuar nga aksidenti në diskotekën “Puls”, dëshmoi para gjykatës për momente të zjarrit në të cilin humbi jetën edhe miku i tij Petre Ivanovski. 

Klimenkov tregoi se natën kur kishte mbërritur në klub, në binë kishte vërejtur tre spërkatës. 

“I pamë në fillim, i pamë vetëm kur ishin ndezur. Ne ishim duke qëndruar pikërisht pranë tyre dhe i ndjemë duke na shtypur. Vura re tre spërkatës. Nuk pashë se si ose kur u aktivizuan. Askush nuk erdhi t'i ndezë, mendoj se ishte në një buton”,  tha Klimenkov.

Ai përshkroi se tavani mbi një nga spërkatësit ishte djegur pas çka ishte shkaktuar panik. 

“Pas aktivizimit, u zhvendosëm mënjanë, pamë se tavani mbi spërkatësin e majtë po digjej. Të gjithë filluan të bërtisnin, duke thënë ‘digjet, digjet’. Deko doli në skenë, u përpoq ta shuante zjarrin, pastaj Panço tha ‘djema, dilni jashtë’ dhe ne shkuam drejt hyrjes. Pati një rrëmujë nga tualeti deri te dera e parë e hyrjes, rreth 300-400 njerëz, asgjë nuk shihej, nxehtësi, tym, unë u bllokova në rrëmujë dhe më ra të fikët. Pastaj erdha në vete, u përpoqa të dilja, por kishte rreth pesë ose gjashtë trupa sipër meje. Goran Iliev më ndihmoi. Kur isha shtrirë atje, pashë të gjithë duke ndihmuar. Goran Iliev, Lazar Zahariev, Metodi Klimenkov, vëllai im, Martin Josifov, Dragan Petrushev. Pastaj m'u kujtuan zjarrfikësit, ishin tre prej tyre, i morën të gjithë dhe u përpoqën të hynin brenda”, tregoi ai.

Në dëshminë e tij, ai deklaroi se më parë kishte punuar si kamerier në diskotekë për tre sezone, por nuk ishte i siguruar si punonjës. Lidhur me derën e mbyllur, ai tha se të mitur kishin dalë më parë prej saj gjatë bastisjeve të policisë. Kur u pyet nëse e dinte se kush i kishte ndezur piroteknikët, ai u përgjigj se nuk e dinte.

Gjykimi po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, në prani të të akuzuarve, të afërmve të viktimave dhe dëshmitarëve të shumtë. Procedurat po zhvillohen kundër disa individëve dhe personave juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike. Gjykimin e udhëheq gjykatësje Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa Prokurorinë e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë.

Seanca e ardhshme gjyqësore është caktuar për 5 mars me marrjen në pyetje të dëshmitarëve me propozim të Prokurorisë. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

Остани поврзан