• сабота, 14 март 2026

Aliu: Për herë të parë në vend kemi përgatitur një plan kombëtar për menaxhimin e viktimave masive, i cili sot u miratua në mbledhjen e Qeverisë

Aliu: Për herë të parë në vend kemi përgatitur një plan kombëtar për menaxhimin e viktimave masive, i cili sot u miratua në mbledhjen e Qeverisë

Shkup, 10 mars 2026 (MIA) - Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me disa institucione kompetente, ka përgatitur një plan kombëtar për menaxhimin e viktimave masive, me qëllim përballimin e rreziqeve në rritje nga ngjarje që mund të rezultojnë me një numër të madh viktimash - si katastrofa natyrore, aksidente trafiku, incidente industriale, zjarre dhe situata të tjera të jashtëzakonshme.

Veçanërisht pas ngjarjes tragjike në Koçan, njoftojnë nga Ministria, është bërë e qartë se është e domosdoshme hartimi i një plani gjithëpërfshirës që vendos standarde institucionale për koordinimin, triazhin, transportin dhe trajtimin e personave të lënduar.

 "Ky plan, i cili u miratua në mbledhjen e sotme të Qeverisë me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, është përgatitur me mbështetje të madhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, dhe është në përputhje me rekomandimet e NATO-s dhe standardet e Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetit. Me miratimin e këtij plani synohet ulja e vdekshmërisë dhe rritja e shkallës së mbijetesës në rast të incidenteve masive, përmirësimi i koordinimit ndërmjet institucioneve dhe reagim më i shpejtë, rritja e gatishmërisë operacionale të institucioneve shëndetësore, si dhe zhvillimi i një sistemi për trajnim, ushtrime simulimi dhe përmirësim të vazhdueshëm", sqaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Gjithashtu, qëllimi i planit është të sigurojë protokolle operative në nivel strategjik, spitalor dhe para-spitalor, si dhe përdorim dhe shpërndarje racionale të burimeve njerëzore dhe materiale, duke krijuar një kornizë kombëtare të harmonizuar për veprim të koordinuar në rast të ngjarjeve me viktima masive, informojnë nga Ministria.

Në procesin e hartimit të planit kombëtar për menaxhimin e viktimave masive, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur një qasje multisektoriale dhe multidisiplinare, e cila mundësoi koordinim profesional, institucional dhe ndër-resor. Në këtë proces u përfshinë Instituti i Shëndetit Publik, shërbimi i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, qendrat urgjente, Qendra për Menaxhimin e Krizave, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Kryqi i Kuq, fakultetet e mjekësisë, si dhe partnerë ndërkombëtarë dhe ekspertë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

Остани поврзан