Akuzat dhe tensionet mes Iranit dhe SHBA-së vazhduan edhe në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të KB-së
- Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbrëmë mbajti takim emergjent, në të cilin u debatua për protestat vdekjeprurëse në Iran dhe paralajmërimin e presidentit amerikan Donald Tramp për ndërhyrje ushtarake.
Nju-Jork, 16 janar 2026 (MIA) - Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbrëmë mbajti takim emergjent, në të cilin u debatua për protestat vdekjeprurëse në Iran dhe paralajmërimin e presidentit amerikan Donald Tramp për ndërhyrje ushtarake.
Zëvendës përfaqësuesi iranian i KB-së, Golamhosein Darzi theksoi se Teherani nuk kërkon konflikt, por do të përgjigjet në çdo agresion të SHBA-së, të cilën e akuzoi për nxitje të drejtpërdrejtë të trazirave në vend.
Sipas tij, pjesëtarët e Shtetit Islamik kanë kryer dhunë ndaj civilëve dhe personave të sigurimit në Iran.
Darzi shtoi se SHBA i ka urdhëruar "mercenarët" të kryejnë krime në vend dhe e akuzoi Uashingtonin se përhap "gënjeshtra dhe dezinformata të qëllimshme për ta mbuluar" përfshirjen e saj të drejtpërdrejtë.
Ai i akuzoi Francën dhe Britaninë e Madhe për "standardet e tyre të dyfishta të zakonshme" për shkak të vendosjes së sanksioneve ndaj Iranit, të cilat shkaktojnë vuajtjen e civilëve.
"Çdo akt i agresionit, direkt ose indirekt, do të pritet me përgjigje të shkëlqyer, proporcionale dhe ligjore", theksoi Darzi.
Ambasadori i SHBA-së në KB, Majk Valc e kritikoi përgjigjen e autoriteteve iraniane ndaj protestave, duke theksuar se Qeveria iraniane tregon frikë nga populli i saj.
"Populli i Iranit e kërkon lirinë e tij si asnjëherë deri më tani në historinë e Republikës Islamike", theksoi Valc.
Ai tha se Trampi nuk do të tolerojë vrasjen e civilëve të pafajshëm në rrugët iraniane.
Përfaqësuesi rus në KB, Vasilij Nebenzja akuzoi SHBA-në se nxit përshkallëzim të tensioneve dhe krijon histeri rreth Iranit.
"Uashingtoni madje edhe nuk bën përpjekje t'i fsheh arsyet e vërteta për shqetësimin e supozuar në lidhje me situatën e brendshme politike në atë vend, ndërsa në të njëjtën kohë kanoset me sulme të reja ndaj Iranit", theksoi Nebenzja.
Ai madje edhe seancën e jashtëzakonshme të KB-së së KB-së e vlerësoi si "asgjë tjetër përveç një përpjekjeje për të justifikuar agresionin e hapur dhe përzierjen në punët e brendshme të shtetit sovran".
Zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në KB, Sun Lei e paralajmëroi KS-në se tensionet në rritje rreth Iranit kërcënojnë ta shtyjnë Lindjen e Mesme në konflikt. Ai i bëri thirrje SHBA-së të përmbahen nga kërcënimet me forcë, ndërsa të gjtiha palët të tregojnë qëndrueshmëri.
"SHBA vazhdon të japë deklarata për situatën në Iran dhe në mënyrë të hapur dërgon kërcënime për përdorimin e forcës kundër Iranit. Si rezultati kësaj, retë e luftës mblidhen mbi Lindjen e Mesme, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë të përshkallëzohen", theksoi Sun.
Ai përsëriti se Pekini është kundër veprimit ushtarak, duke theksuar se "përdorimi i forcës asnjëherë nuk mund t'i zgjidh problemet".
"Kjo vetëm do t'i bëjë punët më të ndërlikuara dhe të pazgjidhura. Çdo aventurizëm ushtarak vetëm do ta shtynte rajonin drejt një humnere të paparashikueshme", theksoi Lei.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kerolajn Levit mbrëmë tha se nëse vazhdojnë vrasjet dhe ekzekutimet, Irani do të përballet me "pasoja të rënda".
Ajo shtoi se sipas informatave të fundit, dje janë anuluar 800 ekzekutime të demonstrantëve.
Derisa ka zgjatur seanca e jashtëzakonshme e KS-së së KB-së, përfaqësuesit e Arabisë Saudite, Katarit, Omanit dhe Egjiptit patën biseda diplomatike intensive me Uashingtonin dhe Teheranin për ta parandaluar SHBA-në ushtarakisht ta sulmojë Iranin.
Përfaqësuesit e shteteve arabe paralajmëruan se agresioni mund të ketë pasoja serioze për sigurinë dhe ekonominë në rajon.
As SHBA dhe as Irani zyrtarisht nuk dhanë detaje nga përpjekjet diplomatike të shteteve arabe. sa/
foto: MIA arkivi