Aeroporti i Shkupit i treti për nga numri i pasagjerëve në ish-Jugosllavi, pavarësisht uljes së fluturimeve për shkak të krizës
- Aeroportet në qytetet kryesore në të gjithë ish-Jugosllavinë këtë muaj kanë shënuar ulje të fluturimeve dhe kapacitetit, pas një sërë rishikimesh të rrjetit nga linjat ajrore për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme, rritjes së çmimeve të karburanteve dhe kufizimeve të mundshme të furnizimit.
Shkup, 17 prill 2026 (MIA) - Aeroportet në qytetet kryesore në të gjithë ish-Jugosllavinë këtë muaj kanë shënuar ulje të fluturimeve dhe kapacitetit, pas një sërë rishikimesh të rrjetit nga linjat ajrore për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme, rritjes së çmimeve të karburanteve dhe kufizimeve të mundshme të furnizimit.
Në krahasim me oraret fillestare dhe nivelet e kapacitetit për muajin prill të publikuara nga EX-YU Aviation News në fund të marsit, situata ka ndryshuar në disa aeroporte. Aeroporti i Shkupit renditet i treti për nga numri i vendeve në mesin e aeroporteve të rajonit dhe, pavarësisht uljes së numrit të vendeve, shënon një rritje prej 32 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
EX-YU Aviation News shkruan se sipas orarit të rishikuar, aeroporti i Beogradit pritet të ofrojë 897.733 vende në fluturime të rregullta gjatë muajit prill, që është një ulje prej 36.995 vendeve nga plani fillestar. Megjithatë, pavarësisht kësaj rënieje, kjo përfaqëson një rritje prej 7,6 për qind krahasuar me prillin e vitit 2025. “Er Serbia” mbetet transportuesi më i madh me 433.502 vende, edhe pse kjo është 20.000 më pak se sa ishte planifikuar fillimisht, pas së cilës renditen "Viz Er", "Lufthanza" dhe "Turkish Erllajns".
Zagrebi do të ketë 549.720 vende në shërbime të rregullta, 10.332 më pak se sa u paraqit fillimisht. Kjo përfaqëson një rënie prej 2,6 për qind në nivel vjetori. "Kroacia erlajns" e ruan pozicionin e saj si transportuesi më i madh me 203.998 vende, një rritje prej 5,4 për qind krahasuar me vitin e kaluar, përpara "Rajanar", "Lufthanza" dhe "Turkish Erlajns".
Aeroporti i Shkupit ka humbur 6.866 vende pas rishikimeve të rrjetit deri më tani këtë muaj, dhe numri i përgjithshëm mbërriti 393.355. Megjithatë, pavarësisht kësaj uljeje, kjo ende përfaqëson një rritje të fortë prej 32 për qind krahasuar me vitin e kaluar. “Viz er” mbetet transportuesi më i madh, me një rritje të kapacitetit prej 68 për qind, i ndjekur nga “Pegasus Erlajns” dhe “Turkish Erlajns", thuhet në publikimin.
Nga TAV Maqedonia, koncesionari i aeroporteve në Shkup dhe Ohër, muajin e kaluar për MIA deklaruan se si rezultat i konfliktit në Lindjen e Mesme, është e mundur një ndikim i kufizuar në disa destinacione nga aeroportet vendase, por se për momentin nuk priten ndërprerje më të mëdha në trafikun ajror. “Viz Er” e ka ndërprerë linjën e rregullt ajrore Shkup - Larnaka pasi interesi për rezervime të biletave është ulur, dhe do të operojë vetëm sezonalisht.
Po e ndjekim me kujdes situatën dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me kompanitë ajrore. Në këtë moment nuk priten ndryshime të rëndësishme në numrin e përgjithshëm të fluturimeve dhe të pasagjerëve, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e trafikut të aeroportit të Shkupit dhe atij të Ohrit është e lidhur me destinacione në Evropën gjeografike, veçanërisht në Evropën Perëndimore dhe Veriore, deklaroi Nexhat Kurt, drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedonia.
Aeroporti i Prishtinës duhet të ofrojë 390.680 vende, që është një ulje prej 7.345 në krahasim me planin fillestar, me një rritje totale të kapacitetit që aktualisht projektohet në 2,6 për qind. “Xhi-Pi-Eviejshn” mban pjesën më të madhe, i ndjekur nga “Viz er", "Çer Erlajns" dhe "Pegasus erlajns". Numri i vendeve në aeroportin e Sarajevës tani arrin në 223.574, që është një ulje prej 6.820 krahasuar me planet fillestare. Kjo përfaqëson një rënie prej 5,1 për qind në krahasim me nivelet e vitit 2025. “Rajaner” është transportuesi më i madh, pastaj vijojnë "Turkish erlajns" dhe "Austrijan erlajns".
Aeroporti në Podgoricë do të ketë 205.319 vende në fluturimet e planifikuara gjatë muajit, që është një rënie prej 2.505 nga planet fillestare, por megjithatë është një rritje prej 14.6 për qind krahasuar me vitin e kaluar. "Viz er" pritet të bëhet transportuesi më i madh, pastaj vijojnë "Rajanar", "Er Montenegro" dhe "Turkish erlajns".
Ndërkohë, Lubljana do të ofrojë gjithsej 191.974 vende në fluturime të rregullta, duke ulur 11.196 vende krahasuar me parashikimet e mëparshme, por megjithatë shënon një rritje prej 17 për qind në nivel vjetor. “Lufthanza” do të jetë transportuesi më i madh në aeroport, pas së cilës vijojnë "Turkish erlajns", "Svis" dhe "Izixhet". ls/
Foto: MIA