• недела, 20 октомври 2024

Çfarë dihet deri më tani për fatin e kreut të Hamasit, Jahja Sinvar

Çfarë dihet deri më tani për fatin e kreut të Hamasit, Jahja Sinvar

Tel Aviv, 17 tetor 2024 (MIA) - Izraeli ka thënë se po verifikon nëse ka vrarë shefin e Hamasit, Jahja Sinvar, gjë që do të ishte një goditje e madhe për grupin militant palestinez pas më shumë se një viti luftime në Gaza.

Këto janë faktet e njohura deri më tani për fatin e njeriut që Izraeli akuzon për organizimin e sulmit të 7 tetorit 2023 që ndezi konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit.

Armata izraelite tha këtë pasdite se "tre terroristë u eliminuan" gjatë operacioneve në Gaza dhe se agjencitë e inteligjencës po kontrollonin nëse njëri prej tyre ishte Sinvar.

Në deklaratë nuk specifikohet se kur, ku dhe si u vranë tre personat.

"Në ndërtesën ku u eliminuan terroristët, nuk kishte shenja të pranisë së pengjeve në zonë", thuhet në kumtesën e armatës, duke iu referuar atyre të rrëmbyer gjatë sulmit të 7 tetorit.

Televizioni  Al-Arabia me bazë në Dubai raportoi se operacioni ishte në rajonin Rafah të Gazës jugore.

Uebfaqja izraelite e lajmeve Ynet raportoi se pranë trupave u gjetën para dhe dokumente identifikimi.

Gazeta e majtë izraelite "Haarec" raportoi se ushtarët e përfshirë në operacione nuk dukej se po kryenin një sulm të synuar dhe nuk kishin asnjë informacion paraprak për praninë e Sinvar në zonë.

Fotot e paverifikuara që qarkullonin në internet treguan ushtarë izraelitë që rrotulloheshin rreth trupit të mbuluar me pluhur të një burri që dukej si Sinvar, i cili dukej se kishte pësuar një dëmtim të rëndë dhe të përgjakshëm në kokë.

Një zyrtar izraelit i sigurisë tha se armata po kryente një test të ADN-së për të konfirmuar nëse ishte Sinvar.

Në një kumtesë të lëshuar së fundmi, policia dhe armata izraelite thanë se një nga disa teste ishte përfunduar, ndërsa testet e tjera ishin në vazhdim.

Deri më tani nuk ka asnjë reagim nga Hamasi për informacionet se Sinvar mund të jetë vrarë. sa/

Остани поврзан