• вторник, 24 март 2026

Elaborati, rregullorja, vlerësimi dhe plani – baza për sigurinë në objektet, dëshmoi për "Puls" një e punësuar në DMSH

Elaborati, rregullorja, vlerësimi dhe plani – baza për sigurinë në objektet, dëshmoi për

Shkup, 17 mars 2026 (MIA) - Gjatë dëshmisë së sotme para gjykatës, Maja Timovska, udhëheqëse e Sektorit për Parandalim, Planifikim dhe Zhvillim në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), sqaroi se të gjithë pjesëmarrësit në sistemin e mbrojtjes dhe shpëtimit në territorin e Republika e Maqedonisë së Veriut janë të detyruar të dorëzojnë katër dokumente: një elaborat për mbrojtjen dhe shpëtimin, një rregullore për mbrojtjen nga zjarret, një vlerësim të rrezikshmërisë nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësi të tjera, si dhe një plan për mbrojtje dhe shpëtim.

"Pjesëmarrësit në sistem sipas ligjit duhet të dorëzojnë katër dokumente, edhe atë elaboratin për mbrojtje dhe shpëtim, i cili dorëzohet në mënyrë elektronike përmes sistemit elektronik te Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim konkretisht në Shkup dhe në të gjitha 34 degët rajonale për mbrojtje dhe shpëtim, në varësi të asaj se në cilin rajon ndodhet objekti që po ndërtohet, rindërtohet ose ripërdoret lidhur me elaboratin. Më tej, të gjithë pjesëmarrësit janë të detyruar të përgatisin rregullore për mbrojtjen nga zjarret, vlerësimin e rrezikshmërisë nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera, si dhe të hartojnë planin për mbrojtje dhe shpëtim", tha ajo.

Timovska shtoi se mendimi pozitiv jepet vetëm nëse të gjitha dokumentet janë plotësisht të përfshira, ndërsa në të kundërtën theksohen masat dhe aktivitetet që duhet të ndërmerren.

Në lidhje me rastin konkret të objektit "Puls" në Koçani, Timovska theksoi: "nuk mund të them nëse janë dorëzuar të tilla elaboratë, sepse ato dërgohen drejtpërdrejt te dega rajonale në Koçanit".

Timovska, e cila është pjesë e DMSH-së që nga themelimi i saj në vitin 2005, dëshmoi edhe për mënyrën e funksionimit të Drejtorisë.

Ajo shpjegoi se programi i punës miratohet nga drejtori,ndërsa çdo vit dorëzohet te Qeveria.

Në pyetjen nëse menaxherët e "Puls" kishin detyrimin të dorëzonin dokumentacionin, Timovska e pohoi. 

"Të gjithë pjesëmarrësit në sistem janë të detyruar të dorëzojnë planin, vlerësimin dhe rregulloren te Dega Rajonale për Mbrojtje dhe Shpëtim në Koçan, si dhe elaboratin elektronik përmes komunës", tha ajo.

E pyetur nëse në planin dhe programin vjetor mund të parashikohen mbikëqyrje inspektuese në një zonë ku nuk ka inspektor për mbrojtje dhe shpëtim, ajo u përgjigj se në programin dhe raportin vjetor nuk përmenden detajisht, por vetëm në mënyrë të përgjithshme se mbikëqyrjet organizohen dhe zbatohen, pa specifikuar rajonin dhe vendet ku ka ose nuk ka inspektor, gjegjësisht siç tha, nuk përshkruhen sipas tabelës së përmbledhur.

Për këtë çështje, prokurorja publike kërkoi që t’i prezantohet deklarata që Timovska kishte dhënë në Prokurori në prill të vitit 2025, e cila ndryshon nga dëshmia e sotme.

Gjatë pyetjeve të kryqëzuara nga mbrojtja, Timovska theksoi se metodologjia për përgatitjen e dokumentacionit planifikues u miratua që në vitet 2006–2007 dhe që atëherë nuk është ndryshuar.

Në lidhje me elaboratin për mbrojtjen nga zjarret, të cilin e quajti "dokument i rëndësishëm", ajo tha se në të janë të përcaktuara qartë masat për mbrojtje nga zjarret dhe se shërben si bazë për përgatitjen e të gjithë dokumenteve të mëvonshme.

Më herët, në seancën e sotme gjyqësore, dëshmitarja – këshilltare teknike, Verica Milevska-Stefanovska, kryetare e Odës së Republikës së Maqedonisë për Siguri Private, dëshmoi për procedurat ligjore për marrjen e licencës, detyrimet gjatë lidhjes së kontratave për siguri, si dhe autorizimet e punonjësve gjatë kontrollit të hyrjes dhe pranisë së të miturve në objekte.

Gjatë dëshmisë, ajo theksoi se sigurimi duhej të reagonte për praninë e të miturve pas mesnatës, ndërsa piroteknika përbënte një rrezik për sigurinë.

Gjyqi ndodhet në fazën e mbledhjes së provave dhe do të vazhdojë më 19 mars me dëgjimin e dëshmitarëve nga Prokuroria.

Zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë një paraqitjeje të grupit DNK dhe përfaqëson një nga tragjeditë më të rënda në historinë më të re të vendit. Me seancën e sotme vazhdon procedura hetuese me shfaqjen e dëshmitarëve me propozim të Prokurorisë  - të cilën e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorëve publikë. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан