• e enjte, 04 dhjetor 2025

Zjarri në Tetovë ende është aktiv pasi shpërtheu dy orë para mesnate

Zjarri në Tetovë ende është aktiv pasi shpërtheu dy orë para mesnate

Tetovë, 16 gusht 2025 (MIA) - Zjarri, i cili u vu nën kontroll dje pasdite në zonën e fshatrave Rogaçevë dhe Jazhincë të Tetovës, është përsëri aktiv. Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) informoi se mbrëmë rreth orës 22:30 zjarri është riaktivizuar, ndërsa sot në mëngjes në orën 9:00 situata mbetet e pandryshuar - zjarri është ende aktiv.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, njoftoi se gjatë natës, me ndihmën e banorëve të Rogaçevës, kanë arritur të shuajnë një vijë të zjarrit.

"Mbrëmë vonë, zjarri në zonën e fshatit Jazhincë, komuna Jegunovcë, u riaktivizua. Menjëherë pas kësaj, për shkak të barit të gjatë, shkurreve dhe pemëve që ndizen lehtë, të shoqëruara nga një erë e fortë, vija e zjarrit u bë më e gjatë se një kilometër, duke lëvizur në drejtim të autostradës Tetovë - Jazhincë. Ne shpejt vendosëm mbrojtje në rrugë me dhjetë tanke cisterna kundër zjarreve, 8 pincgauerë dhe një top uji të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të parandaluar kalimin e zjarrit mbi rrugë, nëse arrin atje", informoi Angelov.

Rreth mesnatës, ai u ngjit në vijën e zjarrit mbi rrugë dhe pasi verifikoi personalisht se era ishte e lehtë, djegia ishte qetësuar dhe kishte kushte për shuarjen e zjarrit nga toka gjatë natës, ai, së bashku me shoferin e tij dhe shtatë banorë të Rogaçevës, filloi të shuante vijën e zjarrit.

"Shuarja u zhvillua në dy faza, shuarje, kontrollim dhe shuarje e vijës së shuar. Diku rreth orës tre të mëngjesit pushtuam të gjithë vijën e majtë të zjarrit, më shumë se një kilometër të gjatë. Falënderime të veçanta për kompaninë shtatë anëtarëshe të Cvetko Vojvodës nga Rogaçeva, me të cilën arritëm të shpëtojmë disa hektarë bar, shkurre dhe pyll, duke shuar zjarrin në terren jashtëzakonisht të vështirë, duke u ekspozuar ndaj një rreziku të caktuar", informoi Angelov.

Sipas tij, vija e djathtë e zjarrit ishte larg tyre dhe për shkak të terrenit të vështirë për t’u aksesuar, të mbuluar me bimësi të dendur plot me gjemba, ata nuk mund të depërtonin atje.

"Në këtë moment, vija e majtë e shuar tregon pika të nxehta dhe shenja djegieje, për këtë arsye është aktivizuar helikopteri i policisë, i cili vepron pikë për pikë duke hedhur ujë me saktësi. Një degë e zjarrit po lëviz në drejtim të fshatit Dvorce drejt anës së Shkupit", informoi Angelov.

Ai njoftoi gjithashtu se ministri Toshkovski mbrëmë vizitoi vendin e zjarrit, qëndroi gjithë natën dhe sot në mëngjes qëndroi me njerëzit e angazhuar në shuarjen e zjarrit. Në vendngjarje ndodhen zjarrfikës me automjete nga NJTZ të Tetovës, Gostivarit, Velesit dhe Kavadarit, si dhe banorë të zonës. sa/

Foto: QMK

QËNDRONI TË LIDHUR