Zgjidhet statusi i punës i 1.117 personave në shëndetësi
- - Në konferencën e sotme të përbashkët për media me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ministrin e Financave Fatmir Besimi, ministri i Shëndetësisë, dr. Fatmir Mexhiti, informoi se është miratuar punësimi i përhershëm për 1.117 persona të angazhuar në shëndetësinë publike.
- Post By Fitore Curri
- 11:57, 28 dhjetor, 2023
Shkup, 28 dhjetor 2023 (MIA) - Në konferencën e sotme të përbashkët për media me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ministrin e Financave Fatmir Besimi, ministri i Shëndetësisë, dr. Fatmir Mexhiti, informoi se është miratuar punësimi i përhershëm për 1.117 persona të angazhuar në shëndetësinë publike.
"Investimi në punonjësit shëndetësor është një nga segmentet më të rëndësishme për të ardhmen e kujdesit shëndetësor publik. Në krijimin e politikave shëndetësore, jetike është zgjidhja e statusit të mjekëve, tteknikëve, personelit mjekësor dhe jomjekësor me punësim të përhershëm", theksoi ministri Mexhiti.
Mexhiti shtoi se "sot po zgjidhim statusin e 1.117 personave, personel mjekësor, personelit ndihmës-teknik, higjienistëve dhe vozitësve, me vendim të Qeverisë hapet mundësi për punësim me kohë të pacaktuar në institucionet shëndetësore publike.
Mjetet për punësimet e përhershme të aprovuara janë siguruar në kuadër të Institucioneve Shëndetësore Publike dhe Fondit për Sigurim Shëndetësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në periudhën e kaluar, edhe pse në kohë krize, investimet në shëndetësi kanë qenë të mëdha. Ne investojmë jo vetëm në pajisje dhe infrastrukturë, po investojmë edhe në kuadro, rritje pagash, shtesa për punonjësit e shëndetësisë.
Me investime të tilla serioze në shëndetësinë publike, ndihmojmë në rritjen e cilësisë së shërbimit, për të lehtësuar qasjen në shërbimet shëndetësore dhe përpiqemi që pacientëve tanë t'u ofrojmë shëndetësi evropiane.
Si ministër i Shëndetësisë, edhe në periudhën e ardhshme do të angazhohem për investime dhe avancimin e kapitalit njerëzor në institucionet publike shëndetësore. Ne do të vazhdojmë me zhvillimin e kujdesit parësor shëndetësor, investimet kapitale në ndërtimin e objekteve të reja dhe moderne shëndetësore, si dhe investimet në trajnimin, edukimin dhe zhvillimin e kuadrit të ri mjekësor në vend. Vetëm kështu do të përmirësojmë dhe forcojmë sistemin shëndetësor në vend", ka thënë Mexhiti. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s