• e premte, 22 nëntor 2024

ZGJEDHJET 2024/ Mariçiq: Fokusi ynë është mandati i dytë për Pendarovskin i cili duhet të sjellë stabilitet, siguri dhe rrugë evropiane

ZGJEDHJET 2024/ Mariçiq: Fokusi ynë është mandati i dytë për Pendarovskin i cili duhet të sjellë stabilitet, siguri dhe rrugë evropiane

Shkup, 22 shkurt 2024 (MIA) - Ky tashmë është fillimi i një fushate dhe çdo parti ka të drejtën legjitime të paraqesë propozime dhe ide. Fokusi ynë është sigurimi i mandatit të dytë të Stevo Pendarovskit i cili duhet të sjellë stabilitet, siguri dhe rrugë evropiane. Secila palë që fokusohet në këtë do të jetë partneri ynë, deklaroi zëvendëskryeministri i parë, njëherësh eshe zëvendëskryeministër për Çështje evropiane dhe sekretar për bashkëpunim ndërkombëtar i LSDM-së, Bojan Mariçiq.

"Sigurisht edhe LSDM-ja do të ketë risi dhe propozime, ide që do t'i shpallë gjatë fushatës. Fokusi ynë është të zgjedhim një president që do të na çojë përpara, një president që do të vazhdojë stabilitetin e atij funksioni, stabilitetin e shtetit dhe që është në anën e duhur në drejtim të integrimit evropian. Stevo Pendarovski është garanci për këtë dhe për këtë jemi plotësisht pas tij. Unë jam i sigurt se partitë e tjera politike do të qëndrojnë pas presidentit Pendarovski, presidentit tonë aktual dhe se do ta zgjedhim më 24 prill dhe 8 maj. Gjatë fushatës dhe pas fushatës, ne jemi të gatshëm t'i dëgjojmë ato ide, natyrisht t'i komentojmë, por mendoj se fokusi duhet të jetë në atë që është detyra jonë, të stabilizojmë vendin, të zgjedhim presidentin, institucionet dhe më pas mund të diskutojmë për të gjitha", tha Mariçiq në pyetjen e gazetarëve për propozimin e BDI-së për zgjedhjen e presidentit me dy të tretat në Kuvend dhe për zgjedhjen e zëvendëspresidentit pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve për pesë grante të ndihmës japoneze.

Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese, ai theksoi se me BDI-në kanë biseduar dhe do të diskutojnë si partnerë të marrëveshjes.

"BDI-ja është partneri ynë i koalicionit. Secila palë ka të drejtë të paraqesë kërkesat e veta. Natyrisht, ne do të shqyrtojmë ende në pjesën e ndryshimeve kushtetuese që kanë të bëjnë me komunitetin bullgar në Kushtetutë. Këtu nuk kemi asnjë dyshim. E kemi promovuar bashkë në Qeveri. Në lidhje me të gjitha çështjet tjera, mbetet për t'u shqyrtuar dhe fokusi ynë është zgjedhja e presidentit të RMV-së dhe sigurimi i mandatit të dytë të z.Pendarovski i cili duhet të sjellë stabilitet, siguri dhe rrugë evropiane. Çdo parti që fokusohet në këtë do të jetë partneri ynë", thotë Mariçiq.

I pyetur për kandidaturën e Bujar Osmanit për president nga radhët e BDI-së, Mariçiq thotë se çdo parti ka të drejtë ta bëjë këtë, ai ka një mendim të mirë për Osmanin, ata kanë qenë kolegë për një kohë të gjatë, por thekson se presidenti Pendarovski është favorit i tyre në këto zgjedhje.

Në pyetjen nëse me daljen me kandidatët e tyre për president do të bjerë në ujë dalja me lista të përbashkëta me BDI-në dhe krahun e ASH-së së Selës në zgjedhje, Mariçiq thotë se kjo nuk përjashtohet.

"Deri më tani nuk është përjashtuar. Thamë shpallëm një front, një dëshirë për një bllok evropian apo një front evropian, siç e quajnë ata. Sido që të jetë, LSDM-ja do të jetë bartëse e atij fronti, kush do të bashkohet dhe me kë do të arrijmë marrëveshje, do ta shohim. Në ditët në vijim sigurisht që do të ketë biseda për këtë temë. Nuk e kemi finalizuar ende formatin e koalicionit për zgjedhjet parlamentare, tashmë është e qartë për zgjedhjet presidenciale. Megjithatë, synimi ynë janë të gjitha ato parti që besojnë në këto vlera që ne promovojmë dhe në të cilat ne besojmë, normalisht me të gjitha mangësitë që duam t'i ndryshojmë dhe përmirësojmë në mandatin e ardhshëm. Jam i sigurt se do të gjejmë një gjuhë të përbashkët, sido që të jemi dakord, qoftë në një bllok të përbashkët apo në më shumë se një bllok, qëllimi duhet të jetë i njëjti, dhe që pas 8 majit vendi të ketë një të ardhme të sigurt dhe të mos lejohen aventura që do të na kthejnë të paktën 15 vjet pas", thekson Mariçiq. qa/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR