• e diel, 12 prill 2026

Koncert jubilar i Ansamblit “Ilirida” “10 vite rrugëtim – nga rrënjët në skenë”

Koncert jubilar i Ansamblit “Ilirida” “10 vite rrugëtim – nga rrënjët në skenë”

Shkup, 12 prill 2025 (MIA) – Në Teatrin Shqiptar në Shkup, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Ilirida” nga Shkupi me një koncert artistik kushtuar historisë, traditës, sukseseve dhe dashurisë për artin dhe kulturën shqiptare e shënoi jubileun 10-vjeçar të themelimit.

Dashamirët e artit në platonë e teatrit patën mundësinë ta shohin të ekspozuar një muze të gjallë, ku janë prezantuar kostumet, çmimet, instrumentet, fotografitë dhe kujtimet më të çmuara që shfaqnin historinë e Ansamblit.

Koncertin me fjalim rasti e hapi kryetari i Ansamblit “Ilirida”, Rufki Loku, i cili shprehu mirënjohje për të gjithë mbështetësit të cilët iu gjendën ansamblit në këto 10 vite të rrugëtimit. Ai gjithashtu me një minutë heshtjeje e kujtoi anëtarin e kryesisë, Hazbi Topojani i cili ndërroi jetë para ca ditësh, duke shprehur vlerësimet më të larta për jetën, veprën dhe kontributin e tij në ansambël. Me këtë rast mirënjohjen postmortum e pranoi djali i tij Ermal Topojani.

Shfaqja koncertale u drejtua nga moderatorja e njohur Aida Ziberi, e cila pikë pas pike e prezantoi udhëtimin artistik të Ansamblit dhe të koreografit të saj, Ilir Loku, nga rrënjët në skenë. Pikat që

u prezantuan para publikut në sallën e mbushur përplot, ishin një miks midis artit skenik modern dhe valleve tradicionale shqiptare.

 

Kryetari i Këshillit Komunal të Komunës së Çairit, Muhamed Murtezi, u dekorua me mirënjohje për mbështetjen e komunës ndaj Ansamblit. Ai në fjalimin e tij potencoi se është botërisht e njohur se kultura paraqet një ndër shtyllat më kryesore të një populli, andaj, siç tha, e meriton kujdesin dhe mbështetjen tonë të plotë.

“Në këtë drejtim edhe Komuna e Çairit ka qenë dhe mbetet mbështetëse e shoqatave të ndryshme kulturore dhe ansambleve duke e ruajtur dhe promovuar kulturën tonë të përgjithshme. Këtë verë Komuna e Çairit e ka konceptuar si një verë të kulturës me aktivitete të ndryshme ku gjatë qershorit aktivitete do të kenë edhe ansamblet dhe shoqatat kulturore dhe pa dyshim besojmë se edhe Ansambli “Ilirida” do të jetë pjesë e kësaj vere kulturore. Shpresojmë se në këtë mënyrë do ta gjallërojmë Çarshinë e Vjetër, Çairin tonë dhe Shkupin tonë përmes vlerave dhe kulturës sonë. Edhe një herë ju uroj për këtë përvjetor festofshi edhe shumë përvjetorë të tillë dhe paçi suksese edhe në të ardhmen”, tha Murtezi.

Gjatë mbrëmjes artistike me çmimin “Laureat nderi i Ansamblit Ilirida” u laurua solisti i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Besnik Grajçevci, për kontributin e jashtëzakonshëm në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, si artist me përmasa të mëdha tradicionale dhe me vlera autentike ndaj artit koreografik.

Grajçevci pas marrjes së çmimit shprehu vlerësim për potencialin dhe vlerat e artistit shkupjan Ilir Loku, i cili gjatë fjalimit të tij bëri thirrje që e gjithë shoqëria shqiptare duhet të mësohet t’i mbështesë punën, kreativitetin dhe mbrojtjen e vlerave.

Koreografi Ilir Loku në fund të manifestimit pesë nga valltarët të cilët janë figura të cilët e kanë përfaqësuar denjësisht Ansamblin “Ilirida”, në shenjë mirënjohjeje për punën dhe besnikërinë e tyre ndaj ansamblit, valltarët: Faton Xhoni, Albana Loku, Edona Loku, Fatime Bytyqi dhe Samir Thaçi, i shpalli dhe i dekoroi me çmimin yjet e ansamblit.

Mirënjohje iu nda edhe Ansamblit “Gëzuar” nga Gjeneva të cilët me pjesëmarrjen dhe performancën e tyre e begatuan edhe më shumë koncertin. Mirënjohje për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe promovimin e kulturës gjithashtu pranuan edhe Rufki Loku si kryetar i Ansamblit për kontributin e dhënë në këto 10 vite, Albana Mustafa në emër të Sekretariatit për Kulturë në kuadër të BDI-së si edhe të gjithë ata që gjatë rrugëtimit artistik të ansamblit e kanë mbështetur atë.

QËNDRONI TË LIDHUR