• e shtunë, 31 gusht 2024

Zekolli Shaqiri: Shqyrtojmë mundësi për një riprojektim për një zgjidhje më të qëndrueshme për autostradën Shkup-Bllacë

Zekolli Shaqiri: Shqyrtojmë  mundësi  për një riprojektim për një zgjidhje më të qëndrueshme për autostradën Shkup-Bllacë

Shkup, 30 gusht 2024  

Në lidhje me dezinformatat e fundit që po qarkullojnë në media, dëshiroj të sqaroj se ministri Nikollovski nuk ka deklaruar se projekti i autostradës Shkup-Bllacë nuk do të përfundojë. E vërteta është se segmenti i parë prej 2 kilometrash tashmë ka përfunduar dhe pritet të hapet për qarkullim brenda dy muajve të ardhshëm. 

Për pjesën tjetër të autostradës, ne po shqyrtojmë mundësinë e riprojektimit për të siguruar një zgjidhje më të përshtatshme dhe më të qëndrueshme.

 Ky riprojektim është i domosdoshëm për shkak të zgjedhjes së gabuar dhe të palogjikshme të traseve nga drejtuesit e mëparshëm të Ndërmarrjes së Rrugëve Shtetërore, të cilët kanë preferuar një terren malor të vështirë dhe të shtrenjtë për ndërtim, PA ARSYE TË QARTA.

Nga 12 kilometrat e planifikuara, 6 kilometra janë parashikuar të jenë tunele, duke e bërë këtë projekt jashtëzakonisht të KUSHTUESHËM pa arsye të qarta me një kosto të parashikuar prej afërsisht 240 MILION EURO për 12 kilometrat e mbetura, ose rreth 20 MILION EURO për kilometër gjë që e bënë këtë projekt një ndër projektet me koston më të lartë për një kilometër në rajon. 

Aktualisht, ne si ministri po shqyrtojmë mundësitë për një trase alternative, më të favorshme, që do të kalojë përgjatë rrugës ekzistuese. Kjo zgjidhje do të sigurojë një qasje më të lehtë për qytetarët dhe një kosto ndërtimi më të arsyeshme, në përputhje me standardet normale të ndërtimit të rrugëve.

Qëllimi ynë është të përfundojmë këtë projekt në mënyrë efikase dhe me KOSTO EFEKTIVE, duke siguruar që autostrada Shkup-Bllacë të jetë një rrugë moderne dhe funksionale, që plotëson nevojat e qytetarëve dhe kontribuon në zhvillimin e rajonit. 

Ftojmë qytetarët dhe mediat të bazohen në informacionet e sakta dhe të verifikuara nga Ministria e Transportit për çdo zhvillim të mëtejshëm të këtij projekti të rëndësishëm. 

Kaltrina Zekolli Shaqiri 

Foto: Arkivi i MIA-s 

_________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR