Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Kasanof për vizitë në Tiranë
- Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Aleksandar Kasanof sot do të qëndrojë në Tiranë, ku do të marrë pjesë në ceremoninë me rastin e pesëvjetorit të formimit të Prokurorisë speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).
- Post By Fami Bajrami
- 14:53, 19 dhjetor, 2024

Tiranë, 19 dhjetor 2024 (MIA) - Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Aleksandar Kasanof sot do të qëndrojë në Tiranë, ku do të marrë pjesë në ceremoninë me rastin e pesëvjetorit të formimit të Prokurorisë speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).
Kasanof, i cili mori funksionin në korrik të këtij viti si pasardhësi i Gabriel Eskobarit, pritet të mbajë një fjalim në këtë ngjarje, duke konfirmuar mbështetjen amerikane për reformat në drejtësi në Shqipëri.
Në pesë vitet e funksionimit, SPAK luajti një rol kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Institucioni në këtë periudhë ka hulumtuar dhe ka vënë para drejtësisë një numër të konsiderueshëm funksionarë aktualë dhe ish funksionarë të lartë, mes të cilëve edhe ish kryeministra, ministra, deputetë dhe kryebashkiakë, duke shkaktuar reagime të forta politike.
Sipas njeriut të parë të SPAK-ut, Altin Dumani, në këto vite janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri mbi 150 milionë euro, ndërkohë që bashkëpunimi ndërkombëtar është një nga shtyllat kryesore të suksesit në luftën kundër pandëshkueshmërisë. Për përpjekjet dhe këmbënguljen e tyre në këtë betejë, Altin Dumani është shpallur nga SHBA si "kampion në luftën kundër korrupsionit për vitin 2024".
Puna dhe arritjet e SPAK-ut kanë marrë vlerësime pozitive nga partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht nga SHBA-ja dhe BE-ja, të cilët e shohin këtë institucion si thelbësor për suksesin e reformave në drejtësinë në Shqipëri. rq/bsh/
Foto: arkivi i MIA-s