Kievi, në bisedimet me SHBA-në, do të propozojë armëpushim në ajër dhe në det
- – Delegacioni ukrainas do të propozojë “armëpushim në ajër dhe në det” me Rusinë gjatë kohës së bisedimeve me SHBA-në nesër në Arabinë Saudite, deklaroi për “Frans pres” një funksionar i lartë ukrainas.
- Post By Fitore Curri
- 16:39, 10 mars, 2025

Kiev, 10 mars 2025 (MIA) – Delegacioni ukrainas do të propozojë “armëpushim në ajër dhe në det” me Rusinë gjatë kohës së bisedimeve me SHBA-në nesër në Arabinë Saudite, deklaroi për “Frans pres” një funksionar i lartë ukrainas.
“Kemi propozim për armëpushim në ajër dhe armëpushim në det, sepse këto janë opsione për armëpushim të cilat zbatohen lehtë dhe vijojnë, dhe me këtë mund të fillohet”, deklaroi funksionari i cili kërkoi të mbetet anonim.
Delegacioni ukrainas dhe amerikan duhet të takohet nesër në Arabinë Saudite që të bisedojnë për mënyrat e ndërprerjes së luftës mes Ukrainës dhe Rusisë, e cila e filloi pushtimin ndaj fqinjit të saj më shumë se tre vjet.
Pritjet janë se takimi i nesërm do të jetë i pari, por jo edhe i vetmi, ndërmjet përfaqësuesve ukrainas dhe amerikanë pas vizitës së presidentit ukrainas Volodomir Zelenski në Shtëpinë e Bardhë në fund të shkurtit, i cili përfundoi me konflikt verbal në Dhomën Ovale.
Uashingtoni që atëherë e pezulloi ndihmën ushtarake dhe shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës, me qëllim që ta detyrojë Ukrainën të pranojë bisedime për ndërprerje të armiqësive.
Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, e përsëriti retorikën e Kremlinit dhe akuzat e pasakta për shumë çështje.
I pyetur për mundësitë që Kievi përsëri të marrë ndihmë amerikane, funksionari ukrainas i shmangi spekulimet.
“Nuk kam hollësi për kushtet për rinovimin e ndihmës, sepse amerikanët nuk munden qartë të definojnë çka duan për kthim”, deklroi ai.
Ngrirja afatgjate e shkëmbimit amerikan të të dhënave ushtarake të inteligjencës me Ukrainën do t’i jepte Rusisë “përparësi të konsiderueshme” në fushëbetejë, paralajmëroi funksionari. “Çështja kryesore është sa do të zgjasë kjo. Nëse zgjat gjatë, kjo do tu japë përparësi të konsiderueshme rusëve”, vlerësoi ai.
Sipas tij, kufizimi tashmë ndikon në aftësinë e Kievit që të sulmojë caqe në territor rus. Ai thotë se kjo mund të shkaktojë dobësimin e forcave ukrainase, të cilat nga vera e vitit 2024 kontrollojnë një pjesë të vogël të Zonës në Kursk.
“Ata (amerikanët) kufizuan pjesën e shkëmbimit të të dhënave që lejonte sulme direkt ndaj Rusisë, kështu që mund të kishte një lidhje midis ndërprerjes së shkëmbimit të inteligjencës dhe avancimit të forcave ruse në rajon”, tha zyrtari ukrainas.
Nga ana tjetër, ndërprerja e dërgesave amerikane të armëve ende nuk ka ndikim të madh ndaj kapaciteteve ushtarake ukrainase, sepse vendi ende disponon me rezerva nga shtete të tjera.
Në ndërkohë, para disa orëve, Trampi njoftoi se e ka ndërprerë pezullimin e shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës me Ukrainën dhe se pret rezultate të mira nga bisedimet e ardhshme me përfaqësuesit ukrainas në Arabinë Saudite. fc/
Fotografia: Arkivi