BE-ja e kritikon mungesën e përkushtimit të SHBA-së për marrëveshje për doganat
- Komisioni evropian sot ka shprehur keqardhje për shkak të mungesës së përkushtimit amerikan ndaj arritjes së marrëveshjes me Bashkimin Evropian për shmangien e tarifave, dy ditë para hyrjes së tyre në fuqi për çelikun dhe aluminiumin evropian.
- Post By Besnik Shuki
- 17:26, 10 mars, 2025

Bruksel, 10 mars 2025 (MIA) - Komisioni evropian sot ka shprehur keqardhje për shkak të mungesës së përkushtimit amerikan ndaj arritjes së marrëveshjes me Bashkimin Evropian për shmangien e tarifave, dy ditë para hyrjes së tyre në fuqi për çelikun dhe aluminiumin evropian.
"Duket se administrata amerikane nuk është e përkushtuar për arritjen e marrëveshjes”, tha në Bruksel komisari evropian për Tregti, Marosh Shefçoviç. Ai përkujtoi se në shkurt e ka vizituar SHBA-në për të inicuar dialog konstruktiv për shmangien e përshkallëzimit të panevojshëm të kontestit tregtar.
Si pjesë e një sërë kufizimesh tregtare të paralajmëruara, presidenti i SHBA-së Donald Tramp planifikon të vendosë tarifa të reja prej 25 për qind për importet e çelikut dhe aluminiumit nga të gjithë partnerët tregtarë, përfshirë edhe BE-në.
Këto masa duhet të hyjnë në fuqi pasnesër.
Shefçoviç theksoi se BE dhe SHBA kanë identifikuar disa fusha ku mund të gjejnë interes të përbashkët gjatë negociatave.
"Por një dorë nuk mund të duartrokas vetëm", tha ai, duke theksuar se BE-ja është e vendosur të mbrojë interesat e saj dhe do t'i përgjigjet çdo mase tregtare nga SHBA-ja.
"Siç SHBA-ja mbron interesat e veta, BE-ja do të mbrojë të saj. Kjo është arsyeja pse ne gjithmonë do të mbrojmë kompanitë, punëtorët dhe konsumatorët evropianë nga tarifat e pajustifikuara", shtoi Shefçoviç, duke vënë në dukje se BE-ja mbetet e hapur për dialog.
"Ne duam një marrëdhënie konstruktive dhe pozitive me SHBA-në. Dyert tona mbeten të hapura për dialog. Masat doganore nuk sjellin fitues", konkludoi ai. bsh/
Foto: EPA