• e enjte, 04 dhjetor 2025

Ushakov: Pjesë të planit amerikan janë të pranueshme, plani evropian nuk na përshtatet

Ushakov: Pjesë të planit amerikan janë të pranueshme, plani evropian nuk na përshtatet

 Moskë, 24 nëntor 2025 (MIA) - Shumë dispozita të planit amerikan për Ukrainën duken të pranueshme, ndërsa plani evropian është jokonstruktiv, deklaroi sot ndihmësi i presidentit rus, Jurij Ushakov.

"Ka shumë spekulime rreth planit amerikan për Ukrainën, por pala ruse beson në atë që i është përcjellë përmes kanaleve përkatëse. Shumë dispozita të planit amerikan për Ukrainën që kemi parë duken të pranueshme", tha Ushakovi, siç raportohet nga mediat ruse. 

Sipas tij, Kremlini është në dijeni të ekzistencës së planit evropian të paqes për Ukrainën, por një shqyrtim i përciptë i dispozitave të tij, siç deklaroi, zbulon se ato nuk janë konstruktive. 

 "Sa i përket planeve që po qarkullojnë, këtë mëngjes mësuam për planin evropian, i cili, në shikim të parë, është plotësisht jokonstruktiv dhe nuk na përshtatet", tha Ushakovi të transmetuar nga mediat ruse.

Pikat e planit amerikan për zgjidhjen në Ukrainë, beson ai, kërkojnë diskutim të hollësishëm me palët. 

 "Na u prezantua një opsion që është në përputhje me marrëveshjet e arritura në Alaskë. Prandaj, shumë, do të thoja jo të gjitha, por shumë dispozita të këtij plani na duken plotësisht të pranueshme. Sa i përket dispozitave të tjera, ka shumë prej tyre, 28 pika, këto dispozita, natyrisht, kërkojnë diskutimin dhe shqyrtimin më të detajuar midis palëve. Por kjo çështje ende nuk është diskutuar me ne", tha Ushakovi.

 Ndihmësi i presidentit rus, gjithashtu, tha  se Moska ka marrë sinjale nga Uashingtoni në lidhje me një takim personal dhe fillimin e diskutimeve mbi planin për Ukrainën, shtoi se ende nuk ishin arritur marrëveshje konkrete.

Në fund të javës së kaluar, presidenti amerikan Donald Tramp prezantoi një plan paqeje për Ukrainën dhe Rusinë që përmban 28 pika, i cili, ndër të tjera, parashikon që Ukraina të heqë dorë nga territore shtesë në lindje, të kufizojë armatën e saj dhe formalisht të tërhiqet nga anëtarësimi në NATO, raportuan mediat. 

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR