• e enjte, 27 qershor 2024

Trampi kundër Bajdenit: Amerikën e pret debati i vitit

Trampi kundër Bajdenit: Amerikën e pret debati i vitit

Uashington, 27 qershor 2024 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajden dhe paraardhësi i tij Donald Tramp sot do të përballen në debatin e parë nga dy debatet në Atlantë.

Sipas anketave, ata kanë mbështetje gati të njëjtë nga votuesit. Trampi dhe Bajdeni do të bisedojnë për ekonominë dhe luftërat, por edhe për migrimin dhe të ardhmen e demokracisë. 

Si dy kandidatë më të vjetër për president në historinë amerikane, vitet me siguri do të jenë çështje e zgjedhjeve. 

Votuesit në SHBA gjatë 90 minutave në Si-En-En do të mund të shohin sa janë psiçikisht dhe fizikisht të fuqishëm kandidati 81-vjeçar i Partisë Demokratike Xho Bajden dhe rivali i tij 78-vjeçar nga Partia Republikane Donald Tramp, duke pasur parasysh atë që janë të shqetësuar për të dy për shkak të moshës së tyre, informon Bi-Bi-Si.

Anketa e Nju-Jork Tajms dhe kolexhit Siena në mars tregoi se 73 për qind e votuesve vlerësojnë se Bajdeni është "shumë i vjetër" që të jetë president, përderisa rreth 42 për qind e thanë të njëjtën gjë për Trampin.

Votuesit në SHBA vlerësojnë se kandidati i Partisë Republikane në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, Donald Tramp, është kandidat më i mirë kur bëhet fjalë për ekonominë, por se kandidati i Partisë Demokratike, Xho Bajden, është më i mirë lidhur me ruajtjen e demokracisë. 

Anketa e Rojters/Ipsos tregoi se dy problemet kyçe për votuesit në SHBA janë gjendja e demokracisë dhe ekonomisë, me çka 47 për qind e të anketuarve besojnë se Trampi është zgjedhja më e mirë për tu përballur me atë problem, përderisa 37 për qind e tyre janë të qëndrimit se Bajdeni është më i mirë.

Kur bëhet fjalë për çështjen e migrimit, 44 për qind e të anketuarve vlerësojnë se Trampi është zgjedhja më e mirë, përderisa 31 për qind e tyre vlerësojnë se Bajdeni është më i mirë. 

Trampi gjithashtu konsiderohet kandidat më i mirë për çështjen e konflikteve të jashtme dhe terrorizmit me 40 për qind përkundër 35, por Bajdeni është kandidat më i mirë kur bëhet fjalë për përgjigje ndaj ekstremizmit dhe kërcënimeve për demokracinë, me 39 për qind përkundër 33, që sipas të anketuarve është problemi i dytë më i madh në SHBA. 

Bajdeni prin edhe kur bëhet fjalë për mbrojtjen shëndetësore, 40 për qind përkundër 29.

Në anketat e kaluara të Rojters dhe Ipsos, Bajdeni dhe Trampi kryesisht ishin baraz, por rritje e popullaritetit të Trampit ishte vërejtur në disa shtete federale. 

Rregulla të reja

Debati i parë do të mbahet sipas rregullave të reja, të cilët janë pranuar nga dy kandidatët presidencialë.

Transmetimi, i cili do të zgjasë një orë e gjysmë, do të ketë pushime për reklama, që nuk ishte praktikë gjatë tri decenieve të fundit, ndërsa për herë të parë nga viti 1976 në studio nuk do të ketë publik.

Që të dy kandidatët u pajtuan që tu çkyçen mikrofonët kur nuk e kanë radhën të flasin, që e ul mundësinë për ndërprerje, por edhe që të mos ketë fjalime hyrëse. 

Ata do të kenë dy minuta që të përgjigjen në pyetjen, me replikë prej një minut dhe përgjigje për replikë. Moderatorët gjithashtu do të kenë të drejtë diskrecioni të japin minut shtesë. 

Në fund të debatit, kandidatët do të kenë dy minuta për fjalë përfundimtare. 

Miliona njerëz sonte do ta ndjekin debatin, që do ta udheheqin Xhejk Taper dhe Dejna Besh nga Si-En-En, jo vetëm që t'i dëgjojnë programet, idetë dhe argumentet e kandidatëve, por edhe që ta vlerësojnë qëndrueshmërinë dhe aftësinë e tyre që të hyjnë në Shtëpinë e Bardhë. fc/

Fotografia: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR