• e diel, 01 qershor 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Trampi kritikohet nga organizatat myslimane në SHBA për fyerjen ndaj kongresmenit Shumer të cilin e quajti palestinez

Trampi kritikohet nga organizatat myslimane në SHBA për fyerjen ndaj kongresmenit Shumer të cilin e quajti palestinez

Uashington, 13 mars 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp u kritikua nga organizatat kryesore të shoqërisë civile myslimane amerikane për përdorimin e termit "palestinez" si ofendim ndaj liderit të shumicës demokratike të Senatit, Çak Shumer, duke i thënë se ai "nuk është më hebre, por palestinez".

"Përdorimi i termit 'palestinez' si një fyerje racore është nën dinjitetin e zyrës së Trampit. Ai duhet t'u kërkojë falje palestinezëve dhe popullit amerikan", deklaroi Nihad Avad, drejtor ekzekutiv i Këshillit për marrëdhënie amerikano-islamike.

Tramp u përpoq të fyente Shumerin ndërsa fliste me gazetarët në Zyrën ovale, ulur me kryeministrin irlandez, Majkëll Martin.

"Shumer është palestinez. Dikur ishte hebre. Nuk është më. Ai është palestinez", tha Trampi, duke bërë pastaj vërejtje për demokratët në Kongres, luftën në Ukrainë dhe konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit. Trampi edhe më parë e ka quajtur Shumerin një palestinez dhe një "anëtar krenar të Hamasit".

Drejtoresha ekzekutive e Këshillit demokratik hebre të Amerikës (JDCA), Hali Soifer tha se Tramp nuk ka të drejtë të vendosë se kush është hebre. "Këto komente janë të neveritshme dhe është koha të thuhet ajo çfarë është - Donald Tramp është një antisemit dhe islamofob, prandaj shumica dërrmuese e votuesve hebre nuk do ta mbështesin kurrë", tha ajo.

Në Zyrën ovale, Martin u pyet nëse si lider i një prej tre vendeve evropiane që njohin shtetin e Palestinës, së bashku me Norvegjinë dhe Spanjën, "do ta informojë presidentin për pikëpamjet e tij për Gazën".

“Nuk kam pse ta informoj presidentin. Ai është shumë mirë i informuar mbi gjithë situatën", tha Martin.

I pyetur në lidhje me propozimin e fundit se palestinezët duhet të largohen nga Gaza në mënyrë që SHBA të mund ta rindërtojë vendin, Tramp theksoi se askush nuk po i dëbon palestinezët.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR