Tramp: Nuk duhej ta lëshoja Shtëpinë e Bardhë
- Ish presidenti amerikan Donald Tramp dje deklaroi se i vjen keq që e lëshoi Shtëpinë e Bardhë pasi i humbi zgjedhjet presidenciale në vitin 2020 të cilat nuk i pranoi asnjëherë.
- Post By Qefsere Abduli
- 08:17, 4 nëntor, 2024
Uashington, 4 nëntor 2024 (MIA) - Ish presidenti amerikan Donald Tramp dje deklaroi se i vjen keq që e lëshoi Shtëpinë e Bardhë pasi i humbi zgjedhjet presidenciale në vitin 2020 të cilat nuk i pranoi asnjëherë.
"Kishim kufirin më të sigurt në historinë e vendit tonë ditën që u largova. Nuk duhej të isha larguar. Mendoj, sinqerisht, sepse kemi bërë shumë mirë", tha kandidati presidencial në tubimin parazgjedhor në Litic të Pensilvanisë.
Trampi shtoi se tani ka "qindra avokatë" në çdo qendër votimi për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Ai foli për të arriturat e presidencës së tij.
Trampi i humbi zgjedhjet presidenciale në vitin 2020 nga kundërkandidati i tij demokrat Xho Bajden.
Deri sot, ai ka refuzuar ta pranojë humbjen. Ish presidenti ngriti dhjetëra padi pas fitores së Bajdenit në vitin 2020, por dështoi në gjykatë.
Më 6 janar të vitit 2021, insistimi i tij të fitojë dhe se "fitorja" i është vjedhur, çoi deri në sulmin në Kapitoll hill në Uashington, seli e Kongresit amerikan nga mbështetësit e tij.
Tramp përfundoi duke qëndruar larg ceremonisë së betimit të Bajdenit më vonë të njëjtin muaj, duke thyer traditën. Ai e lëshoi Shtëpinë e Bardhë disa orë para inaugurimit.
Tramp do të kandidojë kundër demokrates Kamala Haris në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. qa/
Foto: arkivi i MIA-s