• e diel, 01 qershor 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Tramp: Negociatat për ndërprerje të lufës mes Rusisë dhe Ukrainës “po shkojnë mirë”

Tramp: Negociatat për ndërprerje të lufës mes Rusisë dhe Ukrainës “po shkojnë mirë”

Uashington, 13 prill 2025 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, deklaroi se negociatat për armëpushim ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës “po shkojnë mirë”, por theksoi se zgjidhja duhet të vijë së shpejti.

"Vjen një moment kur ose duhet të tregosh se çfarë mund të bësh ose të heshtësh. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, por mendoj se gjërat po shkojnë mirë”, deklaroi Tramp para gazetarëve në aeroplanin presidencial Er For Uan.

Komentet e Trampit vijuan pas takimit të nivelit të lartë në Rusi, ku i dërguari i tij Stiv Vitkof u takua me presidentin rus Vladimir Putin më 11 prill. Vizita ishte pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të administratës Tramp për të ndërmjetësuar për një armëpushim midis dy vendeve. Sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, takimi zgjati katër orë.

"Unë mendoj se negociatat midis Ukrainës dhe Rusisë me shumë gjasa po shkojnë mirë. Dhe së shpejti do të dini më shumë", tha Tramp.

Një muaj më parë, Ukraina ra dakord për një armëpushim të plotë 30-ditor në negociatat e ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Xheda. Ndërkohë, Rusia jo vetëm që ka refuzuar një armëpushim të plotë, por ka vazhduar të sulmojë qytetet e Ukrainës dhe ka shkelur vazhdimisht armëpushimin e pjesshëm të vendosur në mes të marsit.

Disa kritikë thonë se Moska po zvarritet dhe nuk ka interes real për të ndalur luftimet, veçanërisht pasi ajo vazhdon të përparojë në fushën e betejës. Kremlini nuk është përkushtuar publikisht ndaj kushteve që Ukraina pranoi. Megjithatë, Moska akuzon gjithashtu Ukrainën për sulme në infrastrukturën e saj energjetike. ls/

Foto: Arkiv

 

QËNDRONI TË LIDHUR