Toshkovski: Janë arrestuar katër persona në Strugë dhe Gostivar, të dyshuar se kanë planifikuar ngjarje që mund të rrezikojnë sigurinë e Maqedonisë
- Në aksionin policor që është zhvilluar mëngjesin e sotëm në Strugë dhe Gostivar janë arrestuar katër persona të cilët dyshohen se kanë planifikuar ngjarje të padëshiruara në të ardhmen që mund të rrezikojnë sigurinë e Maqedonisë dhe shteteve tjera, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
- Post By Fami Bajrami
- 13:43, 15 dhjetor, 2024
Shkup, 15 dhjetor 2024 (MIA) - Në aksionin policor që është zhvilluar mëngjesin e sotëm në Strugë dhe Gostivar janë arrestuar katër persona të cilët dyshohen se kanë planifikuar ngjarje të padëshiruara në të ardhmen që mund të rrezikojnë sigurinë e Maqedonisë dhe shteteve tjera, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Ai tha se ka vepruar sipas urdhrit të Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë ku janë arrestuar katër persona.
Është vepruar, thekson Toshkovski dhe me urdhër të gjykatësit në procedurë paraprake, janë bërë kontrolle në më shumë lokacione. Sipas tij, ekzistojnë dyshime dhe MPB-ja ka ngritur kallëzim penal.
"Bëhet fjalë për organizata terroriste, katër persona të cilët janë privuar nga liria. Ata, në bashkëpunim me persona që nuk ndodhen në territorin e Maqedonisë, një kohë të gjatë ndiqen nga organet kompetente të sigurisë dhe në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë është vepruar në mënyrë të koordinuar. Kemi shumë prova në drejtim të dyshimeve se këta persona kanë vepruar në drejtim të organizimit të disa ngjarjeve të padëshiruara në të ardhmen që mund të rrezikojnë sigurinë e Maqedonisë dhe vendeve tjera. Qëllimi i tyre ka qenë të indoktrinojnë njerëz të tjerë nga Ballkani të cilët do të mund të vepronin në drejtim të realizimit të qëllimeve të tyre", ka thënë Toshkovski.
Gjatë ditës personat të cilat janë shtetas të Maqedonisë do të sillen para gjykatësit në procedurë paraprake dhe do të ndjekin procedurat përkatëse.
"Vepra penale për të cilën është ngritur kallëzim është organizatë terroriste, ndërsa për motivet kemi dyshime të arsyeshme se janë të lidhur me grupe të caktuara që janë në mbështetje të grupeve të caktuara ekstremiste dhe fetare", ka thënë mes tjerash Toshkovski.
Foto: arkivi i MIA-s