• e shtunë, 23 nëntor 2024

Taravari me thirrje të fundit për mbështetësit e Selës që të marrin vulën nga ASH, ose në të kundërtën pritet të bëhen pjesë e BDI-së

Taravari me thirrje të fundit për mbështetësit e Selës që të marrin vulën nga ASH, ose në të kundërtën pritet të bëhen pjesë e BDI-së

Tetovë, 28 mars 2024 (MIA) - Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kandidati për president të shtetit, Arben Taravari sot u ka bërë thirrjen e fundit mbështetësve të Ziadin Selës që t'i marrin vulat e partisë për të krijuar listën e kandidatëve vetëm me deputetë të atij subjekti politik. Thirrja vjen në prag të Kuvendit të sotëm, të cilin e kanë konvokuar pasditen e sotme mbështetësit e Selës. Taravari ka vlerësuar se ish partiakët e tij nëse nuk i pranojnë vulat, do të përfundojnë si anëtarë të BDI-së.

"Para se të mbahet ai Kuvend, unë edhe një herë apeloj nëse vula e partisë është pengesë, do t'ua jap edhe logon dhe vulën që të shkojnë vetë në zgjedhje, të paktën të kenë konsistencë politike, sepse unë dhe ne që jemi pjesa e madhe e Aleancës për Shqiptarët kemi pasur dyshime se disa zyrtarë tanë janë afruar shumë me BDI-në. Pas këtyre zgjedhjeve ju garantoj se nëse hyjnë në të njëjtat lista me BDI-në, do të përfundojnë si parti e përbashkët, të gjithë do të përfundojnë në BDI. Edhe një herë apeloj nëse duan t'i sjellin listat, do t'i firmos, do t'u japim edhe vulat edhe logon e partisë për t'i përdorur, vetëm le të shkojnë vetë, nëse ende ekziston qëndrimi i tyre konsistent", deklaroi Taravari sot në Tetovë.

Edhe të jenë bashkëpartiakët e tij në listë të përbashkët me BDI-në, sipas Taravarit, kjo është e drejtëe tyre legjitime. Të njkëjtën e tha edhe për PArtinë Demokratike Turke, e cila iu bashkangjit koalicionit të BDI-së, derisa në Gostivar nlë nivel lokal janë partnerë të koalicionit me të.

"Shumë legjitime, megjithatë vazhdoj të mendoj për gjërat e mira që janë bërë në Gostivar edhe për turqit edhe për të gjitha komunitetet tjera etnike, jo gjithmonë ku shkon partia, shkojnë votuesit, prandaj nuk kam dashur të shkoj me BDI-në. E di që votuesit janë për ndryshim. Prandaj vendosa të shkoj për ndryshime dhe mendoj se një pjesë e madhe e votuesve turq në Gostivar do të votojnë për ndryshime dhe për koalicionin VLEN", theksoi Taravari.

Sipas tij, në fundjavë do të bëhen të ditura listat e kandidatëve të koalicionit “VLEN”.

"Gjithçka është gati, do të kemi personazhe të reja, të pakompromituar, që nuk kanë qenë në Prokuroritë e posaçme publike, që nuk janë pjesë e listave të zeza, profesionistë të dëshmuar, njerëz të ndershëm, shpresoj që diku të shtunën ose të dielën do t'i kemi emrat përfundimtare dhe do t'i shpallim, duhet t'i kalojmë nëpër kuvendet në të gjitha partitë tona", tha Taravari.

Në Shtabin Zgjedhor të koalicionit “VLEN” në Tetovë, Taravari prezantoi personat që do të ishin pjesë e kabinetit presidencial. rq/bsh/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR