• e diel, 23 qershor 2024

Takim i kryetarit të Kuvendit, Gashi me zëvendësministren e MPJ-së greke, Papadopolu

Takim i kryetarit të Kuvendit, Gashi me zëvendësministren e MPJ-së greke, Papadopolu

Shkup, 14 qershor 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u takua me zëvendësministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, Aleksandra Papadopolu, me të cilën kanë shkëmbyer mendime për forcimin e bashkëpunimit dhe dialogut ndërmjet të dy vendeve në të gjitha fushat, si dhe për procesin e mëtejshëm të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Ai falënderoi Greqinë për mbështetjen e saj në procesin e integrimit evropian të vendit, pas anëtarësimit në NATO, që është rezultat, siç tha, i Marrëveshjes së Prespës, njoftuan nga shërbimi për informim i Kuvendit.

"Zëvendësministrja e MPJ-së greke ka uruar Kryetarin Gashi për zgjedhjen e tij në këtë funksion, duke thënë se Maqedonia e Veriut ka mik të sinqertë Greqinë. Ky, tha Papadopolu, është mesazhi që po juа sjell nga e gjithë lidershipi i Greqisë – se ne jemi miq, fqinjë, aleatë, partnerë në NATO dhe një ditë do të jemi edhe partnerë në BE", theksohet në kumtesën e Kuvendit.

Kryetari Gashi konkludoi se të dy vendet janë në rrugë shumë të mirë në avancimin e marrëdhënieve bilaterale, duke pasur parasysh bashkëpunimin dhe komunikimin intensiv midis qytetarëve, në fushën e ekonomisë dhe turizmit, me potenciale për intensifikimin në infrastrukturën rrugore, energjetikën, arsimin, kulturën dhe në të gjitha fushat e tjera me interes të përbashkët.

Bashkëbiseduesit folën edhe për bashkëpunimin në nivel parlamentar, ku Kryetari Gashi shfaqi interesim për organizimin e vizitave zyrtare dhe njëkohësisht e njoftoi zëvendësministren Papadopolu se në Kuvendin e RMV-së në çdo mandat të ri formohen grupe parlamentare për bashkëpunim ndërmjet të dy vendeve. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR