Takim Gashi - Spiropali: Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë faktor i integrimit euroatlantik
- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi sot pati takim me homologen e tij të Shqipërisë Elisa Spiropali, ku u theksua bashkëpunimi i jashtëzakonshëm dhe dinamik i dy vendeve, me takime të shumta të realizuara në të gjitha nivelet, i cili është tregues dhe shembull i bashkëpunimit cilësor midis dy vendeve.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 15:53, 13 nëntor, 2024
Tiranë, 13 nëntor 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi sot pati takim me homologen e tij të Shqipërisë Elisa Spiropali, ku u theksua bashkëpunimi i jashtëzakonshëm dhe dinamik i dy vendeve, me takime të shumta të realizuara në të gjitha nivelet i cili është tregues dhe shembull i bashkëpunimit cilësor midis dy vendeve.
Kryetari Gashi siç theksohet në kumtesë, uroi Shqipërinë për fillimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në dhe shprehu pritshmërinë që të dy vendet edhe më tutje të vazhdojnë të bashkëpunojnë për planin e integrimit evropian. U nënvizua se zgjerimi është një nga politikat më të mira të BE-së si domosdoshmëri gjeostrategjike dhe është investim afatgjatë për të gjithë Evropën në aspektin politik, të sigurisë dhe ekonomik.
"Në kontekst të bashkëpunimit parlamentar, ka potenciale të shumta, të dy kryetarët theksuan mundësinë e bashkëpunimit më të madh ndërmjet komisioneve për çështje evropiane dhe këshillave kombëtarë për integrime evropiane, duke pasur parasysh interesat e përbashkëta të të dy vendeve në procesin e integrimit evropian", qëndron në kumtesë.
Bashkëbiseduesit theksuan se e vetmja rrugë për avancim më të shpejtë ekonomik të rajonit është tregu rajonal dhe integrimi i përbashkët në të, sepse është e natyrshme që marrëdhëniet e mira ekonomike në rajon të shoqërohen me marrëdhënie të mira politike dhe vetëm në këtë mënyrë rajoni do të avancohet.
U theksua rëndësia e faktorit politik shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe politika konstruktive e Republikës së Shqipërisë ndaj zhvillimeve në rajon dhe planit të integrimit të përbashkët në Bashkimin Evropian.
"Si aleatë të NATO-s, u theksua se të dy vendet zbatojnë politika paqeruajtëse, në të mirë të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Duke marrë parasysh faktin se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë janë pjesë e Krahut Jugor të NATO-s, u theksua nevoja për bashkëpunim të forcuar dhe dinamik, i cili do të jetë përgjigje ndaj kërcënimeve reale të çdo lloji", potencohet më tej në kumtesë.
Gjatë bisedimeve u diskutuan mundësitë e shfrytëzimit të fondeve evropiane për projektet infrastrukturore, të cilat do të sjellin përfitim për qytetarët e të dy vendeve.
Spiropali theksoi se vizita e Gashit në Tiranë, e cila ndodh shpejt pas vizitës së saj në Shkup e konfirmon bashkëpunnimin e ngushtë intensiv mes dy kuvendeve.
Ajo vlerësoi se çështjet dypalëshe ndërmjet vendeve kandidate dhe vendeve anëtare të BE-së nuk duhet të jenë pengesë në procesin e anëtarësimit.
"Shqipëria shpreson që Maqedonia e Veriut do ta mbajë sa më shpejt Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me BE-në, sepse dy vendet tona janë një vlerë e shtuar për Bashkimin Europian", deklaroi Spiropali.
Delegacioni i Kuvendit, i udhëhequr nga Kryetari Gashi, u prit edhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë të cilit u ndanë pikëpamjet për sfidat rajonale, modalitetet e bashkëpunimit bilateral midis dy vendeve, duke shfrytëzuar potencialet e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, por edhe shkëmbimit kulturor e turistik.
Foto: Pres shërbimi i Kuvendit