Takim Dimitrieska-Koçoska me IFC-në - Procesi i tranzicionit të gjelbër dhe kalimit në energji të pastër është i domosdoshëm, përkrahje nga institucionet financiare ndërkombëtare
- Korporata Financiare Ndërkombëtare pranë Bankës Botërore - IFC ka shprehur interes për zgjerimin e aktivitetit të saj në vendin tonë, veçanërisht në fushën e energjetikës dhe tranzicionit energjetik. Kjo u theksua në takimin e ministres së Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska me nënkryetarin rajonal të IFC-së, Alfonso Garcia Mora në Uashington.
- Post By Besnik Shuki
- 16:30, 24 tetor, 2024
Shkup, 24 tetor 2024 (MIA) - Korporata Financiare Ndërkombëtare pranë Bankës Botërore - IFC ka shprehur interes për zgjerimin e aktivitetit të saj në vendin tonë, veçanërisht në fushën e energjetikës dhe tranzicionit energjetik. Kjo u theksua në takimin e ministres së Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska me nënkryetarin rajonal të IFC-së, Alfonso Garcia Mora në Uashington.
“Investimet në sektorin energjetik dhe në pjesën e tranzicionit nga karburantet fosile drejt energjisë së pastër janë procese të domosdoshme, që kërkojnë reagim urgjent në nivel global. Si vend, Maqedonia është pjesë e këtyre proceseve dhe prioritet janë investimet në energjetikë dhe tranzicioni drejt shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Për këtë nevojiten investime të mëdha dhe përkrahje nga kreditorët dhe fondet ndërkombëtare, me fokus të veçantë mbi sektorin privat”, potencoi ministrja Dimitrieska Koçoska.
Gjatë takimit, siç kumtoi Ministria e Financave, u shpreh interesimi nga IFC-ja për financimin e projekteve të mëtejshme lidhur me efikasitetin energjetik, burimet e ripërtëritshme të energjisë, siç janë centralet e prodhimit të energjisë me energji solare, më pas projektet e dekarbonizimit etj.
"Në këto suaza, 80 milionë dollarë amerikanë janë në dispozicion të vendit përmes Fondit të Investimeve Klimatike (CIF), kështu që në këtë drejtim është zhvilluar Plani i investimeve për përshpejtimin e kalimit nga qymyri në burimet e ripërtëritshme të energjisë. Krahas përkrahjes në sektorin publik, IFC-ja ka shprehur interes për bashkëpunim me sektorin privat dhe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, me qëllim që të sigurohet ndikim pozitiv në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit", thuhet në kumtesë.
Takimi me IFC-në u zhvillua në kuadër të vizitës së ministres së Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në SHBA, ku aktualisht është pjesëmarrëse në takimet vjetore të FMN-së dhe BB-së. bsh/
Foto: Ministria e Financave